Aktorja Hajrie Rondo vlerësohet me ”Medaljen e Mirënjohjes”

287

hajrie-rondo

Personazhi i njohur i Tanës në filmin “14 vjeç dhëndër” është një nga dhjetëra rolet e mrekullueshme që Hajrie Rondo ka luajtur në disa dekada karrierë në skenën e teatrit dhe të filmit. Së fundi, pasi fitoi betejën e jetës me sëmundjen, ajo është rikthyer në skenën e teatrit Metropol me komedinë “Tre dhëndurët”, e cila shërbeu si mundësi që Tirana të shprehë vlerësimin për kontributin e saj si një nga aktoret më të dashura për shqiptarët.

E shoqëruar nga aktorë të njohur të brezit të saj, por edhe nga artistë të rinj, Hajrie Rondo u prit dje në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e falenderoi për të gjitha çastet e gëzueshme që ajo i ka dhuruar shqiptarëve me rolet e saj ndër vite. Më pas, në emër të qytetarëve të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj i dorëzoi asaj Medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film, duke u shndërruar në një model frymëzimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve.