Artikulli kushtuar malësorëve shqiptarë nga gazeta britanike (1912)

262

Shkrimi i  medias britanike, “Morning Post” (1912), mbi traditat dhe zakonet shqiptare, në të cilin hasim trajtimin e temave, si: përdorimi i armëve, mikpritja, rrespekti për gruan apo rritja (edukimi) i fëmijëve.

“Nuk ka asgjë moderne te shqiptarët përveç armëve të tyre, të cilat janë të shkëlqyera sepse në këtë fushë ata janë njohës të vërtetë. Ceremonia vjetore e bekimit të pushkëve, në fisin e mirditorëve, është shumë mbresëlënëse. Një fis shqiptar drejtohet në mënyrë arbitrare nga një udhëheqës, i cili ka të drejtën të vendosë për jetën dhe vdekjen e anëtarëve të këtij fisi.

Frika është një ves i panjohur te shqiptarët sepse, që nga lindja, ata kanë jetuar në një atmosferë luftimi dhe përleshjet e tyre me fqinjët janë më të shpeshta se ndeshjet e futbollit në Angli.

Ushqimi i tyre është shumë i thjeshtë. Ata janë shumë mikpritës.

Burrat, në përgjithësi, janë të mëdhenj, dhe sytë e tyre janë jashtëzakonisht të gjallë; gratë, me një karakter më të butë, kanë një shprehje të thellë; durimi dhe butësia e nënës shqiptare për fëmijët e saj nuk mund të tejkalohet.

Ajo nuk keqtrajtohet, sepse personi i saj është i shenjtë për gjininë dominuese. Shqiptari e shfryn zemërimin e tij mbi armikun dhe nëse harron e godet një grua, ai do të dëbohet nga fisi.

Për një fjalë përbuzëse apo një poshtërim disi të dhunshëm, ai duhet të japë llogari përpara pleqve, dhe nëse familja e gruas e merr vesh, kjo mund t’i kushtojë jetën.

Nëna shqiptare zbaton të njëjtin kujdes, me të cilin është rritur, për fëmijët e saj. Goditja e një fëmije konsiderohet një mëkat monstruoz, dhe mohimi i diçkaje, derisa ai të arrijë moshën e arsyes, nuk shihet me sy të mirë.