Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet

344
14572369_1183002698405524_1320026274105612746_n
“Qelia e lirisë” Roman nga Kaon Serjani

Jo rrallë në historinë e romanit shqiptar proza e gjatë ka qënë sprovë e reflektimeve të thella filozofike, etike e morale. Jo rrallë fatet e individit trazohen me tragjizmin e fatit historik të momentit  kombëtar e rajonal.

Në romanin e tij të parë “Qelia e lirisë” Kaon Serjani trajton temën e realizimit shpirtëror të individit. Në faqet e tij përshkruhet drama bashkëhore e fatit njerëzor ballkanas. Dramë që ka legjendarizuar fatin e tij tragjik në shekuj. Proza e Serjanit dritërohet nga kërkimi i lumturisë. Një lumturie përherë të kërcënuar sa nga hijet e së kaluarës aq edhe prej plagëve etiko-sociale të shoqërisë bashkëkohore. Protagonistja e romanit Shqipja, bija e një intektuali kosovar, që i ka shpëtuar kalvarit të vuajteve të spastrimit etnik të sërbëve në Kosovën e vitit 1998, dashurohet me Ibresin, djalin serb me origjinë nga Sanxhaku i Novi Pazarit, familja e të cilit ka gjetur strehë prej mbretit Zog, në Libofshën e Fierit qysh prej vitit 1926. E kaluara edhe e tashmja e dy familjeve është sfondi historik, që duhet të tejkalojë mishërimi filozofik i personazheve. Prozatori e ka shmangur skematizmin ku mund të binin protagonistët e tij. Faqet e tij e përpijnë lexuesin, në përjetimin e dilemave rastësore, ku përkohshmëria materiale ndihet inferiore ndaj të përjetshmes hyjnore.

Duke ecur në gjurmët e traditës më të mirë të prozës, si të asaj shqiptare, (Petro Markos), por e mëtej në letërsinë botërore, prozatori i ri i njeh dashurisë forcën për t’u ngritur mbi kufijtë e konflikteve nacionale. Errësira e urrejtjeve brenda nesh mund të hapërndahet vetëm nga drita e flakëve, që mbajnë të ndezur pishtarin e dashurisë, urtësisë e harmonisë universale.

Në roman gërshetohen fatet njerëzore sa nën “çatinë e një shtëpie” dhe të “çatisë së qiellit”. Njeriu modern i ndodhur në zgrip të ekzistencës së tij, nuk mund t’i shpëtojë sërisht e sërisht dilemës hamletiane. “ Të rrosh apo të mos rrosh…” I vetëm përpara hipokrizisë së kohës nuk mund t’i shpëtonte tjetërsimit e vetmisë veçse përpara gotës së rakisë, ku gëlltiste shuplakat e fatit, i miri deri në dhimbje, profesori i matematikës “politikani i dështuar” figura tragjike e Llazarit. Me laps në dorë i etur për fitim u printe planeve të tij gjakftohtë Serveti, një grande shqiptar, që njeh vetëm lidhje fitimi dhe interesi. Linja e subjetiktit i përcjell ngjarjet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ajo fillon me përjetimin e vdekjes së Pranverës. Dhimbjen e humbjes së saj e përjetojnë thellë duke u mbyllur në vetvete si Fadili edhe Shqipja. Pa i dhënë mundësi njëri -tjetrit për t’u lidhur shpirtërisht, atë e bijë.

Romani i drejtohet rinisë, për të mos qëndruar indiferente ndaj plagëve që hapen përditë. Fati i Shqipes është një thirrje për reflektim. Liria është thesari më i madh që ata kanë. Është një gjetje artistike, që personazhet kryesore të cilët përcjellin mesazhin e veprës janë studentë filozofie. Marrëdhënia Shqipe – Alban i kundërvihet lidhjes rrënuese Shqipe – Ibren. Të rinjtë shqiptarë gjejnë aty sprovat nëpër të cilat, jo pak prej tyre ngecin… Është meritë e autorit ta shohë urrejtjen nacionale, si plagë pranë plagëve të tjera të degradimit moral të rinisë bashkëkohore. Plagë gangrenë ku po rënkon koha jonë, të cilat kërkojnë terapi zgjidhjeje e reflektimi. Ato i kanë rrënjët brenda nesh si pjesë e natyrës mëkatare njerëzore. Shqipja me veprimet e saj iu kundërvu e luftoi me hijet e plagëve të së kaluarës historike të të atit, por mentalitetet duan premisa që të ndryshojnë. Ndryshimin së pari duhet ta projektojë e realizojë rinia. Fati i përjetuar në roman prej Shqipes ishte pjesë e mundësive që i jepte “Qelia e lirisë” së saj. E viktimizuar, fatalitetin e saj autori e sheh tek verbëria shpirtërore, që e çoi në verbërinë e besimit të një dashurie të rremë. Ajo kthehet tek dashuria e patjetërsueshme prindërore. Prindi di gjithmonë të falë. Shëmbëlltyra e fabulës biblike të djalit plangprishës është universiale dhe aktuale për të gjitha kohërat. Përjetimi i kryeveprës me këtë motiv i Rembrandit për Fadilin ishte krejt ndryshe nga përjetimi i tekstit biblik. Në tekstin biblik atij u zgjuan sytë e shpirtit, ku i kanë rrënjët dashuria atërore e atit krijues. Edhe pendesa bëhet e shenjtë, e ripërtëritëse. Shqipja e rikthyer i ka tashmë shtyllat ku do të ringrihet. E asfiksuar nga krenaria, ajo i kishte nënvlerësuar goditjet e shkopit të Albanit në “tokën e premtuar”. Rruga e lirisë drejt së vërtetës ndriçohet nga drita e shpirtit e dashuria për krijuesin. Dritë ripërtëritëse, që buron prej çdo rreshti të këtij libri. Lakonizmi i shprehjes dhe dialogu i zhdërvjelltë e bëjnë gjuhën e kësaj vepre shprehje e modernitet të njeriut ballkanas.  Ai duhet ngrihet mbi të kaluarën e të ndërtojë të tashmen e tij. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet! Vëllezër duhet të flladitemi shpirtërisht në rrugën që na ka hapur liria!

Zhuljeta Grabocka

7 dhjetor 2016