Dalin shifrat/ Ja sa minuta në muaj flasin mesatarisht shqiptarët në telefon, befasojnë me internetin

57

Çdo shqiptar foli mesatarisht 184 minuta në muaj nga telefoni i tij celular gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se përdorimi i celularit gjatë këtij viti është në rënie.

Trafiku mesatar mujor për përdorues ka rënë me 2.6% krahasuar me tremujorin e dytë dhe afërsisht në të njëjtën masë edhe me tremujorin e tretë të një viti më parë. Për sa i takon thirrjeve zanore, duket se tregu ka arritur një fazë ngopjeje.

Trafiku total dalës nga rrjetet celulare për tremujorin e tretë të vitit pësoi rënie me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ekspertët mendojnë se arsyeja kryesore e rënies së trafikut nga rrjetet celulare janë aplikacionet e komunikimit të mbështetura në internetin me brez të gjerë. Platformat si whatsupp apo viber përdoren masivisht për mesazhet multimediale, thirrje zanore dhe për biseda video. Kjo sjell ulje të trafikut të thirrjeve nga rrjetet celulare, duke e zhvendosur përdorimin më shumë drejt shërbimit të internetit.

Përdorimi mesatar mujor i internetit arriti në 3.4 Gb në muaj, në rritje me 23% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Teknologjia 4G dhe rritja e aksesit në telefonat inteligjentë po e rrit me zgjeron me ritme të shpejta përdorimin e internetit me brez të gjerë nga telefonat celularë.