Dhjetëra objekte nga zbulimet nënujore në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

18

Që nga viti 2005 arkeologët nënujorë kanë zbuluar pranë brigjeve të Durrësit dhjetëra objekte me vlerë, që tashmë i përkasin trashëgimisë sonë kulturore.

Disa prej tyre janë ekspozuar në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të qytetit, ndërsa të tjerat presin të studiohen nga punonjësit shkencorë të Institutit të Arkeologjisë.

Në Muzeun Arkeologjik mësohet se, pas restaurimit të Doliumit, enës së veçantë për transportin detar të verës së hapur, ka nisur puna për restaurimin e disa amforave, pjesët e të cilave janë zbuluar gjatë misioneve nënujore në bregdetin e Durrësit dhe më gjerë.

Bashkë me pjesët e relikteve të anijeve, që i përkasin periudhave pas shek. IV  para erës sonë, në Muzeun e Durrësit kanë mbërritur spiranca dhe enë të ndryshme, si amfora apo pjesë qeramike me vlera të veçanta.

Zbulimet e fundit nënujore po përcaktojnë hartën e shkëmbimeve tregtare detare nga brigjet e Ilirisë jugore (Durrësi) drejt porteve të tjerë të Mesdheut dhe anasjelltas. Tashmë pritet që kati i fundit i Muzeut Arkeologjik ti dedikohet plotësisht zbulimeve nënujore që i përkasin antikitetit dhe mesjetës në brigjet e Durrësit.