Europiani i Atletikës, Luiza Gega kualifikohet në finale

211

Luiza Gega ia del mbanë të kualifikohet për në finalen e garës së 3.000 metrave me pengesa të Europianit të Atletikës, që do të zhvillohet këtë të dielë në “Olimpiastadion” të Berlinit.

Atletja shqiptare u rendit e dyta në baterinë e saj kualifikuese, pas zviceranes Schlumpf, me kohën 9 minuta, 33 sekonda e 11 të qindtat, kohë që është larg rezultatit të saj më të mirë.

Në finalen e garës së 3.000 metrave me pengesa u kualifikuan 5 vendet e para të çdo baterie kualifikuese, që në total ishin dy të tilla, si dhe 5 kohët e tjera më të shpejta.

Luiza Gega arriti që ta pozicionojë veten e saj brenda këtyre 5 vendeve të para dhe e ruajti atë gjatë të gjithë kohës, duke siguruar përfundimisht pjesëmarrjen në finalen e garës së 3.000 metrave me pengesa, ku ajo do të tentojë të fitojë medalje, për të pasuar suksesin e arritur në Lojërat Mesdhetare, ku fitoi medaljen e artë pikërisht në garën e 3.000 metrave me pengesa.