Facebook, Skype, Viber e WhatsApp? Si komunikojnë shqiptarët

37

Një anketë e realizuar nga INSTAT ka dalë në konkluzionet se gjatë këtij viti, 68,6 % e popullsisë nga 16 – 74 vjeç e përdorin internetin, prej të cilëve 87,1 % e përdorin atë në baza ditore.

Anketa evidenton se 98,6 % e individëve të moshës 16 – 74 vjeç kanë përdorur aparat celularë / telefona smart për të hyrë në internet. Sipas INSTAT, ky tregues ka shënuar rritje prej 5,0 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.

Ndërkohë 23,7 % dhe 6,8 % e popullsisë në studim e përdorin internetin nëpërmjet laptopit dhe tabletit.

Nga ana tjetër, aksesi në internet ka sjellë një realitet të ri në komunikimet telefonike. 92.3 % e të intervistuarve janë shprehur se kryejnë thirrje/videothirrje përmes Skype, Viber, WhatsApp.

Familjet me akses në internet

Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet në vitin 2019 është 82,2 %, krahasuar me 80,7 % një vit më parë. Më shumë se gjysma e familjeve (56,6 % ose 359.884 familje) kanë akses në internet me rrjet broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.).

Përqindja e familjeve me akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (telefona smart 3G ose 4G, tablet, etj.), është 88,9 %.