“Fjalori i Gjuhës Shqipe”, instalacioni më i ri në sheshin “Skënderbej” (Fotot)

40

“Fjalori i gjuhës shqipe” është instalacioni më i ri i vendosur në sheshin “Skënderbej”.

Tetori i Librit permbyllet me një instalacion në sheshin “Skënderbej”, një libër gjigant, ndoshta më i rëndësishmi: “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë”.

“Fjalori i Gjuhës Shqipe” është fjalori më i madh shqip-shqip i botuar deri më sot. Ky fjalor është hartuar duke u mbështetur te “Fjalori…” i 1980-ës, ripunuar dhe përditësuar. Përmban rreth 35 000 fjalë, 7 000 njësi frazeologjike dhe mbi 100 000 kuptime, pra, leksiku aktiv i shqipes së sotme dhe një pjesë e rëndësishme e leksikut pasiv.

Fjalët në fjalor janë të vendosura sipas rendit alfabetik dhe sipas rendit të pjesëve të ligjëratës (emri, mbiemri, folja, ndajfolja…). Në të gjithë Fjalorin janë zbatuar rregullat e drejtshkrimit të miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Fjalori është i pajisur me shpjegime për mënyrën e përdorimit, shkurtimet që janë përdorur, treguesin alfabetik dhe një pasqyrë gramatikore. Ky fjalor është tepër i nevojshëm për bibliotekat e familjeve tona.