Fluks në tetor, ja sa turistë vizituan muzetë e Beratit

26

Muzeu Ikonografik “Onufri” dhe Muzeu Etnografik ishin ndër destinacionet e preferuara dhe gjatë muajit tetor për turistët vendas dhe të huaj.

Gjatë muajit tetor numri i turistëve që vizituan muzetë e Qendrës Muzeore Berat, Muzeun e Ikonave Onufri dhe Muzeun Etnografik ishte 7082 vizitorë.

Ndërsa numri i turistëve që vizituan këta muze gjatë periudhës janar – tetor 2019 arriti në 61894 vizitorë, pra 5738 vizitorë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Jo vetëm Muzeu Ikonografik “Onufri” vazhdon t’i joshë vizitorët, por tashmë edhe Muzeu Etnografik u ka ngjallur një interes të veçantë vizitorëve me vlerat e koleksionit të tij, por edhe me mënyrën e veçantë të organizimit.

Për periudhën janar-tetor 2019 është shënuar një rritje e numrit të vizitorëve në Muzeun Etnografik duke arritur shifrën me 2432 vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Këto muze mbeten të preferuar nga turistët si destinacione të rëndësishëm, pasi ato i ofrojnë atyre një itinerar mjaft të veçantë njohës përmes objekteve që kanë.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.