Fuqizohet e drejta e autorit

254

Pas miratimit të ligjit të ri për të drejtat e autorit në 31 mars 2016 miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave 3 vendime të rëndësishme për reformimin e plotë në fushën e të drejtave të autorit dhe të drejtat e lidhura me to.

Konkretisht, me  këtë vendim krijohet Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit,  një organ kolegjial i specializuar për miratimin e metodologjisë së tarifave të shpërblimit të veprave të së drejtës së autorit që konsumohen nga subjektet përdoruese në Shqipëri.

Me këtë akt i jepet fund konfuzionit të tarifave që duhet të paguajnë subjektet përdoruese ndaj Agjencive të Administrimit Kolektiv, të cilat licencohen nga Ministria e Kulturës, për të kryer funksionin publik, atë të mbledhjes së të ardhurave nga përdorimi dhe shpërndarjes tek artistët dhe autorët shqiptarë.

Gjithashtu ky vendim ka ndikimin e drejtpërdrejtë në formalizmin e tregut, në rritjen e peshës së numrit të përdoruesve që paguajnë për artistin krijues të veprës si dhe rritjen potenciale të buxhetit të shtetit në vjeljen e detyrime tatimore nga kontatat mes palëve në tregun shqiptar.

Tashmë tarifat e miratuara në bazë të kritereve të qarta dhe të standardizuara me vendet e BE-së do të publikohen në faqen e publikimeve zyrtare dhe do të zbatohen për dy vite nga miratimi i tyre.

Nëpërmjet këtij vendimi shmanget arbitrariteti për bizneset private dhe rregullohen me në fund marrëdhëniet ekonomike përdorues – autor – agjenci.

Në qendër të reformimit që Ministria e Kulturës ka nisur në ketë mandat qeverisës është AUTORI, talenti i tij krijues duke respektuar gjithashtu të drejtën e përdoruesve për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në vendin tonë.

Me krijimin e Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit vendoset në sistem parimi i transparencës dhe propocionalitetit në shfrytëzimin e veprave të autorëve, duke mbështetur fuqimisht krijuesit për t’u shpërblyer në mënyre të drejtë për punën dhe talentin e tyre.

Ky organ do të vendosë për këto metodologji tarifash me profesionalizëm, paanësi, transparence maksimale në mbledhjet që do të mbahen, duke siguruar aksesin për të gjithë grupet e interesit, në zbatim të parimeve ligjore dhe praktikave më të mira evropiane të fushës.

Burimi: Gazeta Shqip.com