BE jep grante në zonën e Novoseles.

178

Ambasadorja Romana Vlahutin, Shefe e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, udhëtoi sot në zonën e Novoselës për t’u dhënë grante kompensimi për bujqësinë fermerëve të prekur nga përmbytjet në kuadrin e Programit të BE-së për Mëkëmbjen nga Përmbytjet pas përmbytjeve që e goditën Shqipërinë vitin e kaluar.

“Grantet e kompensimit që po prezantojmë sot janë me rëndësi që njerëzit që kanë pësuar humbje të rimëkëmben sërish dhe të vazhdojnë jetën sikur përmbytjet të mos kishin ndodhur”, tha Ambasadorja Vlahutin.

Në takimin me banorët vendas të Novoselë dhe zonave përreth, Ambasadorja Vlahutin së bashku me kryeministrin Edi Rama, ministren e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, ministrin e Bujqësisë Edmond Planariti dhe autoritetet vendore diskutuan për rëndësinë e rifillimit të veprimtarisë ekonomike dhe prodhimit bujqësor në zonat e prekura.

“Rezultatet e mbështetjes së BE-së shkojnë përtej kësaj asistence dhe shpejt do të pasohen nga komponenti i granteve të investimeve. Kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme, dhe fermerët dhe agrobizneset do të kenë mundësi të aplikojnë për investime për të vënë në vend dhe për të përmirësuar kapacitetin e tyre prodhues. Kjo është një mundësi e mirë që ju të përmirësoni dhe të shtoni prodhimin tuaj dhe duhet investuar me zgjuarsi”, tha Ambasadorja Vlahutin.

BE në bashkëpunim me autoritetet vendore po siguron kompensime dhe grante investimesh që arrijnë në 7 milionë Euro, si dhe po asiston më shumë se 4,000 ekonomi bujqësore dhe 200 agrobiznese të prekura nga përmbytjet. Programi prej 15 milionë Eurosh i BE-së për Rimëkëmbjen nga Përmbytjet ka ndihmuar ndërkaq për përmirësimin e infrastrukturës për mbrojtjen nga përmbytjet, si dhe po forcon aftësinë ripërtëritëse, gatishmërinë ndaj riskut të katastrofave dhe parandalimin e tyre në Shqipërinë Juglindore.