Kalaja e Kaninës pritet t’i nënshtrohet restaurimit

0
61

Kalaja e Kaninës, një objekt historik dhe turistik, 6 km larg Vlorës, pritet t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bëri të ditur sot se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Restaurimin e fragmentit të murit të Kalasë së Kaninës”.

Sipas IMK-së, Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë parashikon konsolidimin e murit në krahun jugor të Kalasë.

Kalaja e Kaninës mendohet se është ndërtuar që në shek III. Gjurmë të mëparshme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke.

Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek. V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531. Kalaja ngrihet në majë të një kodre, me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh. Prej kalasë hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Kjo kala, veç vlerave historike, ka sot dhe vlera turistike. Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës.