Kështjella e Pulja-s, basorelievi i rrallë i Gjergj Kastriotit

227

Nga Artan Shkreli

Për shekuj Skenderbeu u rendit sipas rastit qoftë mes “kondotiereve” të kohërave, me Pirron e Hanibalin, qoftë mes kohanikëve që ndryshuan rrjedhat e historisë si Huniadi a Karli V.

Në këtë kuptim një basoreliev kërshëror i Gjergj Kastriotit gjendet në fasadën kryesore të kështjellës së bukur në Corigliano d’Otranto të Puljes – në atë tokë ku ende sot fliten idiomat e vjetra greko e arbresh (pasqyrim i kolonizimeve të njëpasnjëshme mesapo-helene apo bizanto-arbërore).

Kështjellë e shek XIII, që u rifortifikua me kulla rrethore në shek. XVI për t’u mbrojtur ndaj turqve otomane, pësoi një shekull më pas edhe një ndërhyrje estetizuese në vitin 1667, kur u pajis me një sër skulpturash të përsonazheve të rëndësishëm që evokonin historinë në gjithë dimensionet e saj.

Mes tyre Skenderbeu, që ndodhet në serinë e krahut të djathtë të fasadës së kështjellës mes dy burrave që ndërruan fatet e njerëzimit, konkretisht mes Tirmurlengut dhe Kristofor Kolombit; i pari, prijes që zuri rob sulltan Muratin I, e që thuajse gjunjëzoi Kinën po të mos qe për vdekjen e tij të papritur në fillim të shek. XV; dhe i dyti, eksploratori më i madh i kohërave në fund të po atij shekulli.

E në mes të qindvjeteshit, Gjergji ynë, që shkaktoi me rezistencën e tij vonesën historike të Perandorisë Osmane në kulmin e agresivitetit të saj, duke i dhënë mundësi sistemit difensiv të Rilindjes të përsoste fortifikimet rrethore e kendngushta kundër topave të zjarrit osman.