Ku mund ta ngrejmë hotelin në Mars?

0
76

Zonat polare të Planetit Mars mund të jenë vendi ideal për ngritjen e kolonive të para të njerëzimit. Ky është propozimi i astrofizikantëve dhe studiuesve në konferencën ndërkombëtare mbi turizmin e së ardhmes që po mbahet në Francë.

Deri më sot për misionet humane në planetin e kuq ishte menduar gjithnjë zona e ekuatorit pasi më e ngrohtë, por projekti do të kishte më tepër logjikë në pole, ku është zbuluar ujë. Dhe meqenëse uji është burimi parësor për njeriun dhe mbijetesën e tij, mendohet që poli i Veriut është më i përshtatshmi.

Atje ka grumbullime akulli nga uji, ndërsa në Polin e jugut akulli është i përzier me dioksid karboni dhe temperaturat janë më të ulëta.

Sipas ekspertëve, misionet e ardhshme të njeriut në Mars duhen fokusuar pikërisht në zonat më të përshtatshme dhe vetëm prania e ujit e përmbush këtë. Uji madje, sipas tyre, mund të ndahet në hidrogjen e oksigjen për të krijuar edhe një atmosferë që të lejojë frymëmarrjen tonë.