Marie Curie, gruaja e parë që ka marrë dy çmime “Nobel”

58

Tashmë e shndërruar në figurë mitike, simboli i përfshirjes së femrave në lëmin e shkencës, madje gruaja e të gjitha rekordeve. Nobelistja Mari Kyri (Marie Sklodowska-Curie) është gruaja e parë që fitoi doktoraturë në fizikë, e para grua që ka marrë dy çmime “Nobel” (një e ndarë me burrin e saj Pier Kyri dhe Henri Bekërel), profesoresha e parë në Sorbonë dhe e para që u fut në Panteon më 20 prill 1995.

Jetën e saj Mari Kyri e jetoi përkrah shkencëtarëve më eminentë të fillimshekullit XX. E njohur nga të gjithë, u vlerësua ndërkombëtarisht për t’u kthyer në mit. Kokëfortë, pa dyshim e talentuar dhe inteligjente, ajo ishte e para në shumë fusha: e para në agregatin e fizikës, gruaja e parë doktore e shkencave, femra e parë fituese e medaljes “Davy”, gruaja e parë dy herë nobeliste.

Vajza polake, e lindur më 7 nëntor 1867 në Varshavë, u vendos në Paris në 1891. Pasi përfundoit studimet për shkencë, ajo u bë specialiste e substancave radioaktive, së bashku me bashkëshortin Pier Kyri. Jo rrallëherë nobelistja është etiketuar edhe si feministe. Puna e saj mbi polonium dhe radiumin bëri histori dhe përfundoi duke ua mbyllur gojën atyre që e kishin sulmuar pandershmërisht.

Ajnshtajni shprehej se ajo ishte shkencëtari më i madh (në gjininë mashkullore) që ai njihte. Kryesorja, është ende e vetmja grua, hiri i së cilës prehet në Panteon për arsye larg të qenit “gruaja e”. Me të shoqin u njoh në kohën që po kërkonte një laborator për të studiuar vetitë magnetike të çeliqeve. “Ndodhi një alkimi e menjëhershme.

Ishte takimi i dy qenieve që kishin diçka absolute, shumë të kërkuar nga të tjerët dhe nga vetvetja, mbi të gjitha ndanë një pasion të përbashkët për shkencën. Shkëmbimi i korrespondencës së tyre dhe kujtimet e Mari Kyri dëshmojnë për një marrëdhënie tejet të thellë midis dy shpirtrave binjakë”. Nëse shumë gra duhej të zgjedhin midis martesës dhe karrierës, në rastin e shkrimtares ishte pikërisht i shoqi që e mbështeti gruan, financiarisht dhe moralisht. Maria solli në jete 2 vajza: Irenën (1897) dhe Evën (1904).

Në vitin 1898, duke studiuar rrezatimin e uraniumit, i cituar pak kohë më parë nga Henri Bekërel, si dhe substanca të tjera, Mari Kyri vuri theksin në atë që e quajti “radioaktivitet”. Disa muaj më vonë, çifti njoftoi se kishin identifikuar dy elementë të rinj: poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903, së bashku me Bekërelin morën çmimin “Nobel” në fizikë, për zbulimin e radioaktivitetit.

Pas luftës, shembulli i saj do të jetë një ndihmë e vlefshme në luftërat e ndryshme për kauzën e barazisë femërore, veçanërisht natyrisht në fushën e shkencës. Ajo do të bëhet një figurë mediatike në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëjë fushatë për të mbledhur fonde për kërkime shkencore me radium. Fatkeqësisht, orët e gjata të ekspozimit ndaj substancave radioaktive çuan në përkeqësimin e shëndetit të saj.

E gjithë ekzistenca e Mari Kyrisë zhvillohet nën simbolin e drejtësisë, humanizmit dhe punës. Jeta e saj është një përrallë sa e bukur, aq edhe e trishtuar, më saktë e mrekullueshme. Jo se ato çfarë rrëfehen nuk janë të vërteta apo janë të zbukuruara nga historia, përkundrazi kemi të bëjmë me një ndërthurje lavdish e shoqëruar me një seri fatkeqësish që të imponon respekt. Motra e madhe i vdes nga tifoja, më pas e ëma nga tuberkulozi. Punimet në “rrezet e uraniumit” të Henri Bekërel çojnë në zbulimin e poloniumit dhe radiumit, pastaj në përcaktimin e masës atomike të radiumit (226 dhe pluhurave). Vdekja e tmerrshme aksidentale e Pier Kyrisë. Skandali i jashtëzakonshëm i lidhjes së saj me Paul Langevin (Poli i pashëm është i martuar, ajo është e ve). Angazhimi i saj për radiografimin e ushtarëve të plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Dy çmimet “Nobel” dhe për ta mbyllur me Panteonin.

Pas luftës, Mari Kyri ngriti “Institut du Radium” – Institutin e ardhshëm Curie – e themeluar në vitin 1909. Virtytet terapeutike të radiumit për të vrarë tumoret malinje janë të njohura, por mbetet ende shumë për të bërë për të kontrolluar përdorimin e tij. Ajo do ta bëjë atë deri në vdekjen e saj në 1934. Vdiq në korrik 1934 në moshën 66 vjeç. Vdekja e saj nuk u shoqërua me ndonjë ceremoni zyrtare. Mirëpo, në vitin 1995, presidenti Fransua Miteran e solli në Panteon, së bashku me të shoqin. /konica.al