Miratohet statusi për personelin akademik

273

Këshilli i Ministrave ka miratuar statusin dhe trajtimin e veçantë për personelin akademik në universitetet publike të vendit.

Duke gëzuar trajtim të veçantë dhe përveç lirisë akademike dhe të drejtat financiare, personeli akademik nuk mund të penalizohet për shkak të qëndrimeve të tij ndaj politikave të institucionit.

“Në të gjitha rastet, personeli akademik vepron brenda normave të etikës, në respekt të institucionit dhe kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi”, thuhet në pikën 3 të vendimit të marrë sot më 12 prill 2017.

Një status i tillë humbet kur përfundon ose zgjidhet kontrata me institucionit, ndërsa anëtarët e këtij personeli “mund të penalizohen nga institucioni i arsimit të lartë për shkak të rezultateve të vlerësimit të punës së tyre kërkimore-shkencore, të kryera në përputhje me fushën përkatëse dhe misionin e institucionit të arsimit të lartë”.

Në pikën 7 të vendimit, profesorët dhe lektorët punësohen nëpërmjet një kontrate me afat të pacaktuar, ndërsa asistentë-lektorë punësohet me kontratë me afat të caktuar. “Të treja këto kategori mund të punësohen me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme”, thuhet në pikën 7 të vendimit.

“Personeli akademik nuk mund të largohet apo të zëvendësohet, pa miratimin e tij, gjatë kryerjes së punës kërkimore–shkencore në një projekt të ndjekur prej tij, përveç rasteve të shkeljeve të rënda të vërtetuara, të parashikuara në Kodin e Punës dhe aktet e brendshme të institucionit të arsimit të lartë”, thuhet në pikën 8.

Në pikën vijuese, qeveria ka vendosur që norma e punës së personelit akademik nuk mund të jetë më shumë se 1 536 orë në vit, ndërsa leja vjetore është jo më pak se 56 ditë kalendarike. Në rastet kur leja nuk konsumohet për shkak të nevojave të institucionit, ky i fundit i jep shpërblimin përkatës me të holla.

Personeli akademik mund të kërkojë leje, pa të drejtë page, për arsye shëndetësore apo familjare. Kohëzgjatja maksimale e të gjitha lejeve të papaguara, brenda një viti kalendarik, nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë.

Burimi: Lexo.al