Momentet e pritjes kanë vlerë

317

hear

Nga Agustin Prenga

”Mënyra sesi i jetojmë ditët tona tregon sesi ne jetojmë jetën tonë”.- Annie Dillard.

E nis më këtë thënie libri The In-Between: Embracing the Tension Between Now and the Next Big Thing me autor Jeff Goins.

Jeta ka të bëjë me të priturit. Qoftë kjo të qëndruarit në radhë, pritja për atobusin, pritja për kafen e mëngjesit, pritja për semaforin, pritja për një telefonatë të rëndësishme, pritja për provimin, pritja për përgjigjen.

Në epokën tonë të facebook këto gjëra duam ti bëjmë sa hap e mbyll sytë. Por siç edhe e thekson autori Jeff Goins pikërisht në pritje , në mes të asaj që kemi nisur dhe nuk ka përfunduar ende ndodh jeta.

‘’Çdo herë që ne qëndrojmë në pritje është një mundësi për të ngadalësuar vrapin për të dëgjuar zërat që shpesh i humbasim kur rendim papushim’’. J.G

Shpesh herë jetën tonë mund ta tregojmë më mirë me albumin e fotografive që kemi hedhur në Facebook sesa nga përvojat personale. Në vend që të shijojmë imakiaton e mëngjesit, e kemi rrufitur shpejt e shpejt duke harruar shijen. Në vend që të shijojmë qytetin tonë kemi nxituar për të kapur autobusin e radhës. Në vend që të shijojme perëndimin e radhës me  një soditje të paqtë kemi rendur ta fotografojmë, hedhur në facebook shoqëruar me bisedën përkatëse.

‘’Ironia qëndron në ankthin tonë për të qënë pjesë në çdo aktivitet,  e bash këtu ne humbasim çastet më domëthënëse të jetës’’.- J.G

Pritja për të marrë diplomën, pritja për  të gjetur shokun/shoqen e jetës, pritja për fëmijën e parë, promovimin e parë në karrierë nuk është kohë e humbur. Jeff e thotë më mirë: Krejt çastet që ne jemi në pritje nuk janë një gur pengese në rrugën tonë në jetë, ato janë vetë udhëtimi.

Mik ngadalësohu, mendo cilat janë ato momente që, si  të thuash, të kanë kaluar mbi krye. Ndalu dhe shijo momentet e ndërmjetme, momentet e pritjes. Ka jetë edhe aty.

‘’Ne nuk zgjedhim dot numrin  e ditëve që do të jetojmë por ne mund të zgjedhim si ti jetojmë ato’’. -Jeff Goins