“Mural Fest” i jep ngjyra Tiranës

310

Fasadat e pajeta dhe ngjyrë gri të qytetit janë kthyer në vepra arti, duke e kthyer Tiranën në një nga destinacionet më të rëndësishme murale për turizmin në rajon. Artistë nga e gjithë Europa dhe jo vetëm, patën mundësinë të njihen me Tiranën dhe me punimet e tyre murale të lënë gjurmë në hapësirat urbane të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh nga afër me punët e realizuara nga artistët në disa rrugë të ndryshme të kryeqytetit, çka i ka dhënë Tiranës një shpërthim ngjyrash. Duke falenderuar artistët e ardhur nga 15 vende të ndryshme të botës, Veliaj e cilësoi fantastike këtë eksperiencë që i jep më shumë ngjyra qytetit.

Kryebashkiaku veçoi se kjo nismë do të kthehet në një traditë të re për kryeqytetin, që Tirana të ruajë reputacionin e qytetit të ngjyrave, si një kartolinë fantastike e Shqipërisë evropiane.

Një prej artisteve pjesëmarrëse në këtë festival ngjyrash ishte edhe Noel Gazzano nga Italia, e cila theksoi se ka qenë një bujari e madhe nga ana e Tiranës që dhuroi hapësirat e saj për artistët. Gazzano është e mendimit se kjo nismë ka shumë vlera pasi përçon artin dhe njëkohësisht krijon një urë ndërmjet institucioneve, botës së artit bashkëkohor dhe njerëzve.

“MuralFest Tirana 2018”, lindi si fryt i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe laboratorit italian 167/B Street nga Leçe. Përmes këtij projekti bashkia synon të promovojë artin mural në hapësira të ndryshme publike ku fasadat e ndryshme të qytetit shërbejnë si kanavacë dhe galeri për artistët. Veprat murale nëpër qytetet kryesore të botës si Berlin, Londër, Vankuver etj janë kthyer në një instrument tërheqës për rritjen e turizmit dhe njëkohësisht kanë ndikuar në përmirësimin e mjaft problematikave ekonomike, mjedisore dhe sociale me të cilat ballafaqohen sot qendrat urbane.

Burimi: Shqip.com