“Nata e gjelbër”, sonte aktivitete për të rinjtë tek Parku i Liqenit

327

Të rinjtë e kryeqytetit do të mblidhen sot në mbrëmje në lëndinën e parkut të madh të Liqenit Artificial për të kaluar së bashku një natë në natyrë, për të dëgjuar muzikë dhe zhvilluar aktivitete sportive.

“Nata e Gjelbër @Park”, titullohet aktiviteti i organizuar në kuadër të promovimit të jetesës së gjelbër dhe afrimit të njeriut me natyrën, nga Green Line Albania dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit – Bashkia Tiranë.

Aktiviteti do të fillojë në orën 19:00 dhe do të vazhdojë deri në mëngjesin e ditës tjetër, duke kaluar një natë në natyrë, në çadra kampingu, thjeshtë e shëndetshëm.

Programi parashikon aktivitetet e mëposhtme: ndeshje volejbolli, një sfidë midis vullnetarëve dhe stafit të APR, kinema nën Yje @Park, piknik e gatim outdoor, histori rreth zjarrit, të rinjtë do të kenë mundësi të tregojnë historitë e tyre dhe eksperiencat, si një mënyrë për të rritur socializimin.

Gjatë kësaj mbrëmje do të zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme në park si muzikë dhe karaoke, histori vullnetarizmi, lojëra të ndryshme si volejboll, basketboll, shah, dam, twister etj, lojëra sociale me të rinjtë.