Nis ndërtimi i rrugëve të brendshme të Parkut të Liqenit Artificial

635

Hapësira publike e Parkut të Madh të Liqenit Artificial është rimodeluar tërësisht në funksion të promovimit të jetës së shëndetshme. Për të rritur cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarët brenda parkut, duke e bërë këtë hapësirë ndër më të frekuentuarat dhe çlodhëset në kryeqytet, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur punën për ndërtimin e rrugëve lidhëse ndërmjet pikave të reja të krijuara, si fushat multisportive, këndi i ri i forcës, etj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen dhe theksoi se të gjitha agjencitë e Bashkisë do të jenë në terren gjatë gjithë verës për t’u siguruar që qytetarët në shtator të kenë një ambient sa më dinjitoz për të kaluar kohën e lirë. “Pavarësisht investimeve tona në parkun e Farkës, në parkun e Kasharit, le të themi kurora e gjelbër e Tiranës, Parku i Liqenit vijon të jetë më i frekuentuari nga qytetarët. Në rrugët e brendshme të tij nuk është ndërhyrë që nga vitet ‘60-70, çka ka bërë që me gjithë investimet që ka bërë Bashkia, të përdoret vetëm 10% e territorit të parkut. I gjithë investimi në rrugët e reja, të brendshme dhe lidhëse me pjesët më interesante të parkut, do të zgjasë vetëm dy muaj. Në fund të verës i gjithë parku do të jetë i vizitueshëm”, tha Veliaj.

Me ardhjen e stinës së mbjelljeve, bashkia do të rinisë punën për mbjelljen e 50 mijë pemëve të reja në të gjitha parqet, për t’i dhënë jetë projektit të Pyllit Orbital. “Në Farkë, tek liqeni i Tiranës, në Kashar, nga shtatori e tetori do të fillojmë mbjelljet, ku sërish këtë vit kemi planifikuar 50 mijë pemë të reja vetëm në hapësirën e parqeve për të nisur gjurmët e para të pyllit orbital, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, për t’u siguruar që merr jetë një ndër projektet tona madhore të planit urbanistik. Këto investime konkrete, këto mbjellje konkrete, parqe konkrete, janë ato që e bëjnë diferencën dhe jo histeria kolektive e atyre që s’kanë mbjellë asnjë pemë, që s’kanë bërë asnjë investim konkret”, u shpreh Veliaj, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të fokusohen tek investimet e prekshme për ta.

Ndërtimi i rrugëve të brendshme të parkut do të lehtësojë aksesin e shërbimit për mirëmbajtjen dhe pastrimin e tij. Investimi parashikon rikonstruksionin e rrugëve ekzistuese të cilat janë amortizuar ndër vite. Gjithashtu, do të bëhet edhe riparimi i trotuarit të digës te liqeni, që është një nga hapësirat më të frekuentura të Parkut të Madh për të gjitha grupmoshat në çdo stinë.