Nis rikonstruksioni i konvikteve në Qytetin Studenti Nr.2

467

Nisin punimet për rindërtimin, sipas parimit të efiçiencës energjetike të godinave të Qytetit Studenti nr. 2, në kuadër të projektit për rehabilitimin e konvikteve ku Bashkia e Tiranës është përfituese direkte. Projekti synon përmirësimin e kushteve të jetesës për rreth 600 studentë, nëpërmjet rinovimit të ndërtesave me një sistem më të mirë ngrohjeje dhe insulimi, si dhe rinovimit të strukturës së brendshme të ndërtesave për të rritur cilësinë e jetesës si dhe mundësitë e ngrohjes për studentët. Kështu, studentët e shkollës së inxhinierisë dhe fakulteteve të tjera që jetojnë në Qytetin Studenti Nr.2, pranë “21 Dhjetorit”, do të kenë shumë shpejt mjedise tërësisht të rikonstruktura dhe me standarde që garantojnë ngrohje me efiçencë energjetike.

Projekti parashikon termoizolimin dhe sistemin kapot për sipërfaqet e jashtme dhe vendosjen e dyerve dhe dritareve të cilësisë më të lartë, duke synuar garantimin një ngrohje me më pak kosto përmes reduktimit në maksimum të shpërdorimit të energjisë. Kompleksi i Qytetit Studenti Nr. 2 që po rikosntruksohet përbëhet nga katër ndërtesa 6 katëshe. Ndërhyrja do të ruajë strukturën ekzistuese dhe do të riorganizojë ndarjen në dhoma. Gjithashtu, në çdo kat janë shtuar një kuzhinë, një hapësirë ngrënie dhe llozhë e përbashkët. Për herë të parë, do të instalohet një ashensor, si dhe do të vendosen dy shkallë të jashtme duke siguruar dalje emergjente.