Nismë për të ushqyer shëndetshëm fëmijët

414

Bashkia e Tiranës promovon edhe nismën “Buka n’strajc”, e cila synon të nxisë të ushqyerit shëndetshëm për fëmijët.

Nismës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shërbeu një grupi fëmijësh ushqim bio me prodhime vendase, duke u bërë apel prindërve që të përdorin sa më shumë ushqime të pasura me vitamina dhe kalori dhe sa më pak produkte të konservuara që nxisin sëmundjet e mbipeshës.

Nisma “Buka n’strajc” vjen si ndërgjegjësim për prindërit, të cilët duhet t’ua japin bukën me vete fëmijëve të tyre, të gatuar me prodhime bio që në shtëpi, në mënyrë që ata të mos blejnë dhe përdorin ushqime të gatshme dhe të konservuara. Veliaj kërkoi që edhe restorantet apo ambulantët që shesin pranë shkollave dhe këndeve të lojërave të përdorin vetëm ushqime të shëndetshme, duke dekurajuar përdorimin e ushqimeve të gatshme dhe të paketuara.