Një shkrimtar premtues me një roman për të mos u humbur: ”Qelia e lirisë”

466

14479673_10210041642098141_3269374843680877294_nTë shumtë janë ata që provojnë të shkruajnë e të botojnë libra në ditët e sotme, por shumë pak ndodh të godasin që me librin e parë. Kaon Serjani është njëri prej tyre. Ai sapo ka hedhur në treg romanin e tij të parë ‘Qelia e Lirisë’, i cili po ecën mjaft mirë dhe po pëlqehet nga lexuesit dhe njerëzit e letrave.

Në një intervistë për “Tirana Observer” Serjani rrëfen dashurinë për letërsinë që kur ishte gjimnazist; çfarë e frymëzoi për të shkruar një roman, pse zgjodhi një subjekt shqiptaro-kosovar për këtë libër; mesazhi që kërkon të përcjellë me romanin e tij; dhe domethënia intriguese që mbart titulli ‘Qelia e Lirisë’…

Me një stil të ngjashëm me Dostojevskin, autor të cilin edhe e preferon, Kaon Serjani ka një mënyrë të veçantë të rrëfyeri, të thellë, zhbiruese, spontane, me detaje e grimca humori, që të bëjnë ta shfletosh librin me një frymë. Shumëkush nga ne mund të gjej veten në personazhet e romanit, janë karaktere që ngjasojnë të gjallë, që lidhen tërësisht me realitetin shqiptar, histori që përtej fantazisë së Kaonit, mund ti ndeshim në çdo ditë të jetës sonë…

Ky libër me një subjekt mjaft interesant tashmë do të mund ti shtohet pa diskutim bibliotekës suaj. ‘Qelia e Lirisë’ do të prezantohet gjithashtu për lexuesit edhe në Panairin e Librit që do të mbahet pas pak ditësh në Tiranë. unnamed-5-768x510

Kaon, sapo keni botuar romanin tuaj të parë në Shtëpinë Botuese Dudaj, me titull “Qelia e lirisë”. Ku e gjetët frymëzimin për të shkruar këtë libër?

Në fakt, ideja për të shkruar një libër ka qenë në mendjen time prej disa vitesh. Më rrotulloheshin disa tema në mendje, por nuk ishin të zhanrit letrar. Mendimi për të provuar të shkruaj një roman ishte vetëm disa ditë para se të nisja këtë libër. Mbase u bënë disa rastësi bashkë. Momenti i parë ishte Tetor 2014. Pak ditë pasi ishte ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri për shkak të dronit me banderolën “AUTOKTONUS” që u valvit nga Ballist Morina mbi Stadiumin e Beogradit. U bë shkak një top dhe një flamur që të ngacmohej prushi i urrejtjes. Përmasat mediatike që mori ngjarja tregoi për ne shqiptarët se sa e vështirë është të shërohet dhimbja që ka shkaktuar gjenocidi dhe diskriminimi shekullor. Kjo atmosferë që u krijua shtroi rrugën për librin, por ende nuk kisha marrë një vendim për ta shkruar. Disa ditë më pas ndodhi një vrasje tragjike në kryeqytet, ku vdiqën katër vetë. Prindi i atij që kishte bërë krimin, bëri një deklaratë publike, e cila mua m’u duk e pazakontë për realitetin shqiptar. “Çfarëdo që ka bërë, ai mbetet djali im,”tha prindi i helmuar dhe dërrmuar emocionalisht. Në atë moment më erdhi në mendje imazhi i një pikture shumë të famshme të Rembrandit dhe ndërtova të gjithë fabulën e romanit. Kështu që, e thënë shkurt, frymëzimi për librin më erdhi pasi pash një ndeshje futbolli dhe një lajm kronike.( Qesh) Nga këto dy të dhëna, lexuesi mund ta kuptoj se fabula e librit është tërësisht shqiptare dhe shume aktuale.

Që në faqet e para mësojmë se ju ia dedikoni këtë libër familjes suaj, bashkëshortes dhe fëmijëve? Çfarë roli ka luajtur familja në shkrimin e këtij libri?

11 vite më parë, kur sapo isha fejuar, i tregova të fejuarës sime atëherë, (gruaja ime tani), një fletore me poezi që kisha shkruar në gjimnaz. Sigurisht brenda kishte edhe një motiv për të shitur mend. Ishte sikur t’i thoja: “Shiko se unë kam dell poeti” apo “Je fejuar me djalin e duhur” (qesh). Po e shikoja me vëmendje kur ajo filloi të lexonte dhe njëkohësisht filloi të përveshte buzët dhe të puliste sytë. E kuptova që nuk po i pëlqenin. Kur ma dha fletoren në dorë, e mora pa bërë asnjë koment. Shkova nga dhoma tjetër, aty ku ishte oxhaku i ndezur dhe i ndoqa me sy fletët tek morën flakë derisa u bënë hi. Ajo e mori vesh 2-3 vite më vonë që unë i dogja poezitë atë natë. Ju e kuptoni që më shumë sesa sedra ime, ajo ndjenjë ishte simptoma e një të dashuruari, i cili është gati t’i thotë të bardhës të zezë nëse e dashura do të thoshte ashtu. Në fakt, Danjela (bashkëshortja) vazhdon të ketë gjykim të fortë dhe të prerë dhe ende ia marr për bazë mendimin, po nuk i djeg më dorëshkrimet. Kur i tregova subjektin që më erdhi në kokë atë mbrëmje, 11 vite më vonë nga djegia e poezive, në vend të përveshjes se buzëve dhe pulitjes së syve pash një buzëqeshje të plotë në fytyrën e saj. Kjo u kthye në inkurajimin e parë të madh për mua që duhet të shkruaja këtë histori. Atë natë shkruajta rreshtat e parë të romanit. Sigurisht, librin ua dedikoj bashkëshortes dhe femijëve edhe për arsyen se me të vërtetë iu kam munguar në shumë prej mbrëmjeve kur më duhet të merresha me skalitjen e personazheve apo me rrjedhën e ngjarjeve.

“Qelia e lirisë”, një titull mjaft tërheqës, por edhe paradoksal. Si është e mundur të ketë ‘qeli’ liria?

Sa herë kur bashkërenditen dy antonime përftohet një figurë letrare që quhet oksimoron. Kjo fjalë vjen nga greqishtja dhe ka kuptimin i luajtur mendsh. Edhe titulli i librit ta jep këtë ndjesi kur e lexon: “Mos ke luajtur mendsh. Si mund të ketë ‘qeli’ liria?” mund të thotë dikush natyrshëm. Kjo është një antitezë e një lloji të veçantë. Bashkimi i të kundërtave në këtë rast sjell një kuptim të ri. E kam zgjedhur këtë titull sepse besoj se aty qëndron edhe çështja kryesore e librit. Jeta e personazhit kryesor, e cila është një studente, jo thjesht vërtitet mes qelisë dhe lirisë, por qelia e lirisë kthehet në një destinacion shpirtëror në udhëtimin e saj, nga ku ajo duhet të gjej forcën dhe rrugën për të dalë. Mund ta lexosh edhe literalisht librin. Zgjedhjet e saj e çojnë në një izolim fizik, në një qeli burgu. Por aty është edhe qelia tjetër, në të cilën e çon mënyra se si ajo e kupton të drejtën e saj për të ushtruar lirinë e zgjedhjes apo lirinë për të ndjekur ëndrrat dhe lumturinë e saj. Libri trajton pyetje ekzistenciale rreth lirisë individuale. Nuancat e kësaj teme lexuesi pa dyshim i ka ndeshur në librat klasikë të letërsisë botërore Zonja Bovari, Ana Karenina apo Krim dhe Ndëshkim, por unë përpiqem t’a risjell temën e lirisë me personazhe shqiptarë dhe me një kontekst problematik siç është marrëdhënia delikate, e vështirë, dhe e pashëruar shqiptaro-serbe.

Çfarë do të gjejë lexuesi në libër?

E thënë shkurt, por pa prishur kureshtjen, lexuesi do të gjej jetën e një studenteje të lindur në Kosovë, dhe të rritur në Tiranë, e cila përballet me këto tre gjera: një vdekje të papritur, një dashuri të pamundur dhe një betejë për të fituar lirinë.

Në qendër të librit është një familje nga Kosova që jeton në Tiranë…me problemet e së tashmes dhe të së shkuarës…Pse zgjodhët pikërisht këtë subjekt, për librin tuaj të parë. Ju lidh diçka me Kosovën, apo me atë periudhë për të cilën flet libri?

Në shtator të vitit 1998, kur në gjithë Kosovën po ndodhnin masakrat më të tmerrshme të gjenocidit të Milloshevishit, unë isha 14 vjeç. Sapo kisha nisur shkollën e mesme në Gjirokastër. Palestra e shkollës Pedagogjike u mbush me familje kosovare. Pjesa dërrmuese e tyre ishin gra dhe fëmijë. Me është ngulitur në memorie fytyra e një fëmije,duhet të ketë qenë 8 ose 10 vjeç, me flokë të verdhë, me quka në fytyrë, i cili më shikonte në dritë të syrit. Dukej i drobitur dhe i paushqyer mirë. Shikimi i tij sikur më pyeste “pse jam këtu,larg shtëpisë sime?” Të jem i sinqertë, as unë nuk e kuptoja mirë se çfarë po ndodhte me të vërtetë në Kosovë në atë periudhë. Media nuk ishte kaq e avancuar sa tani. Kishte vetëm një televizion që përcillte informacione, Televizioni Publik Shqiptar.Më vonë i kuptova edhe më shumë përmasat e tragjedisë, kur pash dokumentarë dhe lexova dëshmi, por kjo skenë e përballjes më atë fëmijë dhe gjendja e atyre familjeve, nuk më është shqitur nga mendja asnjëherë. Ky fragment nga koha e adoleshencës sime është një nga lidhjet e mia të para me Kosovën dhe me dramën e shqiptarëve atje. Tani më lidhin shumë më shumë gjëra. Pas shumë vizitash në Prishtinë, kam takuar shumë studentë dhe kam bërë mjaft miq, disa prej të cilëve tani i kam edhe kolegë. Për shkak të këtyre lidhjeve që përmenda, m’a kanë bërë më të lehtë të ndërtoja një kontekst shqiptaro-serb në libër.

A ka nota autobiografike ky libër, apo personazhe real brenda tij?

Ka vetëm një personazh për të cilin jam frymëzuar nga dikush që unë e kam mik. Ka shumë të përbashkëta mes personazhit dhe mikut tim, por dy janë ngjashmëritë thelbësore. Të dy janë të verbër dhe të dy janë shpresëplotë. Këto ditë, ai sapo ka filluar të lexojë librin (ia lexon e shoqja) dhe më tha: “Albani jam unë apo jo?”. Alban quhet personazhi në libër.

Sigurisht që je ti ai që ka krijuar dhe iu ka dhënë jetë të gjithë personazheve në libër, por na trego pak, me cilin prej tyre je më i lidhur?

Mendoj se jam i lidhur me të gjithë personazhet, por mbase kam një ndjesi më të veçantë me ata që vuajnë më shumë. Problemi është se në libër ka më shumë se një personazh që kalon në shumë peripeci. Përveç Shqipes, janë edhe Fadili, Albani apo plaku Llazar. Mbase për këtë të fundit ruaj pak më shumë dhembshuri, sepse ai ka një fund shumë tragjik. Pavarësisht se rrjedha e jetës se tij është fryt i fantazisë sime, më dhimbset për shkak se e gjej shumë real në shoqërinë shqiptare dhe nuk mundesha ta përshkruaja dot ndryshe.

U bë disa javë që libri ka dalë në treg. A keni mundur të merrni përshtypjet e para, si nga lexues të thjeshtë ashtu edhe nga kritikë letrarë?

Deri tani kryesisht librin e kanë marrë miq të mi dhe përshtypjet kanë qenë shumë pozitive. Disa prej tyre, madje kanë ardhur edhe me sugjerime se si do kishin dashur ata të rridhnin ngjarjet në një vëllim të dytë. Kjo më ka inkurajuar pa masë për faktin se më tregon se sa shumë janë përfshirë ata me personazhet dhe ndodhitë e librit. Nga njerëz të letrave do të veçoja përshtypjet e z.Petrit Ruka; Prof.dr Gjovalin Shkurtaj,dhe znj. Rudina Çupi, të cilët më kanë dhënë vlerësime pozitive dhe fjalë të bukura që unë realisht si prisja.

Libri yt i parë në prozë, po me poezinë sa je i lidhur?

Nuk shkruaj shumë poezi. Edhe atëherë kur e bëj, e bëj për qejf dhe jo për ta publikuar si vepër letrare. Mbase më vonë ndryshoj mendim.

Cili është shkrimtari dhe libri yt i preferuar?

Dostojevski pa asnjë dyshim. Është mjeshtër i përshkrimit të botës së brendshme të personazheve. Nga shkrimtarët shqiptarë nuk po them autorin, por librin, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Ç’mendim keni për marrjen e çmimit Nobel në letërsi nga një muzikant, siç është Bob Dilan?

Nuk e njoh mirë historinë e nobelave, por kam përshtypjen se është laureati i parë që njihet më shumë si këngëtar sesa si njeri i letrave. Gjithsesi Nobeli i mbetet letërsisë, sepse Bob Dilan e merr çmimin për mjeshtërinë e fjalës në tekstet që ka shkruar. Dhe nuk ka shkruar pak. Motivimi i çmimit ishte edhe popullariteti i këngëve të tij, që në këtë rast shikohen edhe si shumë ndikuese tek disa gjenerata. Jam i gëzuar për diçka. Ky çmim i jep vlerë këngës. Shpresoj që kjo do t’i bëj tekstshkruesit e këngëve të jenë më të përgjegjshëm, sidomos ata shqiptarë. Ky nobel tregoi se puna, e atyre që përleshen dhe mundohen me fjalën para se ta këndojnë, shpërblehet .Sapo e dëgjova emrin e Bob Dilanit, me erdhi në mend një këngë e tij që kisha menduar ta kisha në libër. Në fakt është një kapitull që kam hequr gjatë redaktimit. Nuk ishte teksti i kengës, por ishte koncepti i saj. “You gona serve somebody” “Ti do t’i shërbesh dikujt”. Kur flitet për shërbim, nënkuptohet mungesa e lirisë. Thelbi i mendimit tim në atë kapitull ishte se njeriu ka lirinë të zgjedhë kujt t’i shërbejë, por nuk është i lirë të zgjedhë të mos i shërbejë askujt. P.sh. Ne ose do t’i shërbejmë drejtësisë ose padrejtësisë, por nuk mund të qëndrojmë neutral. Këtë ide e ka edhe kënga e tij, sidomos në refren: “Ti ke për t’i shëbryer dikujt, Ti ke për t’i shëbryer dikujt, Mund të jetë djalli ose Zoti, Por ti ke për ti’ shërbyer dikujt. Kapitulli që vendosa të mos e përfshijë në libër, ishte një përsiatje mbi poezinë e Bob Dilanit. Por nuk jam pishman. E kam thënë atë që dua të them në kapitujt e tjerë.

Së shpejti po afron dhe Panairi i Librit Tirana 2016, a do të jeni pjesëmarrës?

Patjetër që do të jem. Tek stenda e Shtëpisë Botuese Dudaj. Përveçse të takoj lexues të rinj të mundshëm, jam shumë kurioz të takoj njerëz që tashmë e kanë lexuar librin dhe të marr përshtypjet e tyre.

Do të kemi në duar libra të tjerë nga Kaon Serjani në të ardhmen?

Në të ardhmen e largët nuk e di. Tani për tani nuk kam ndonjë plan. Ka momente që më ngacmon ndonjë ide, por nuk më ka bindur asnjë. Do duhet të jetë një ide e shkëlqyer, përndryshe nuk do e merrja mundimin. Intervistoi/ E.Duraj

 Kanë thënë për autorin: kaoni

 Prof.dr Gjovalin Shkurtaj: “Qelia e lirisë” nuk të lë të kuptosh se është ‘krijesa’ e parë e autorit

“Ndonëse është i pari në radhën krijimtarisë së Kaonit, romani “Qelia e lirisë” ka formësim, gjuhë e stil që nuk lë shteg ta kuptonim se është krijesa e parë e tij në këtë gjini. Kaoni ka zotërim të sigurt të frenave të “kalit të betejës”. Ai i është qasur prozës së gjatë, sepse e ndien se ka me se ta mbjellë atë arë të gjerë; ka edhe shkathtësinë e frazës dhe të një sintakse të organizuar e të krahishtuar jo si rishtar, dhe kjo është me shumë rëndësi.”

Petrit Ruka: Kaon Serjani ka hyrë në letërsinë shqipe me romanin e tij të parë

“Kaon Serjani e pagëzon ambicien e tij për të hyrë në letërsinë shqipe me romanin e tij të parë “Qelia e lirisë” dhe ia del mbanë që në sprovën e parë të jetë i talentuar, joshës, origjinal, i thellë dhe tepër premtues. Një histori e bukur jete, me një rrëfim mbresëlënës nga ato ngjarje që janë rreth nesh dhe ku pikëtakohemi çdo ditë, me këto karaktere të ndërtuar mjeshtërisht dhe këtë stil mjaft tërheqës, ku lexuesi ndihet bashkautor me përjetimet e tij faqe më faqe të romanit. Nuk të mbetet veçse të zgjedhësh urimin tënd për këtë kënaqësi që të jep libri i tij i parë dhe t’i urosh mirëseardhjen në këtë mision kaq të mundimshëm e fisnik.”

Rudina Çupi: Një roman me arkitekturë të detajuar; ekuilibruar dhe të pjekur

Leximi i një vepre në dorëshkrim të jep gjithnjë një ndjesi të veçantë dhe të vyer, por duke mos parë fotografinë e autorit në paskopertinë, të bën të gjykosh ndryshe për të: nga përshkrimi që të përfshin e të tërheq, nga arkitektura e detajuar dhe e ekuilibruar e romanit, nga pjekuria në portretizimin shpirtëror të personazheve dhe nga mesazhi human dhe delikat që përcjell… të gjitha këto më çuan të mendoj gabimisht se ky nuk ishte libri i parë i autorit dhe se ky i fundit ishte më “i moçëm” nga sa është. Por besoj se kjo pjekuri dhe përkryerja në stil, në kompozim dhe në mesazh përbëjnë një hap të sigurt për të hyrë në mendjen e lexuesit e për të mbetur gjatë aty.