Një tjetër destinacion low-cost/ Tiranë-Londër, 100 euro vajtje-ardhje

62

Pas Milanos dhe Gjenevës, kompania ajrore low-cost, “Easyjet” do të fillojë të operojë në një tjetër itinerar nga aeroporti “Nënë Tereza”. Destinacioni i radhës është Londra, ç`ka bën që “Easyjet” të jetë kompania e dytë low-cost në 1 vit që vendos të nisë fluturimet e drejtpërdrejta nga Tirana në Londër dhe anasjelltas.

Itinerari i ri do të nisë të operojë prej pranverës, më saktësisht duke filluar prej datës 1 maj. “Prej verës së ardhshme, “Easyjet” do të fluturojë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, për të parën herë nga Britania e Madhe. Qëndra kulturore, e argëtimit, dhe ajo politike e Shqipërisë është një destinacion gjithmonë e më popullor, e duke qenë e pamundur të prekej për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, tanimë po shijon suksesin.

Ndër të tjera, është vetëm 40 minuta larg nga bregdeti Adriatik, si dhe e mbushur me plazhe magjepsëse. “Easyjet” do të fluturojë në Tirana tre herë në javë nga aeroporti Gatewick i Londrës, me fluturimin e parë më 1 Maj të vitit 2020”-thuhet në njoftimin për shtyp të vetë kompanisë.  Këtë vit ka qenë një tjetër kompani ajrore low-cost, “Wizzair”, që është futur si linjë ajrore direkte mes Tiranës dhe Londrës, por nga aeroporti Luton i Londrës.

Futja në treg e “Easyjet” nga aeroporti tjetër, ai Gatewick do ta bëjë ofertën më të larmishme, për shqiptarët që udhëtojnë për në ishull dhe nga ishulli, si dhe për britanikët që vizitojnë vendin. E ndërkohë që oferta bëhet më e larmishme, mbeten për t`u parë çmimet. Por ndërkaq, nga një hulumtim i shpejtë i çmimeve të biletave rezulton se një biletë vajtje-ardhje Tiranë-Londër në fillim të Majit kushton mbi 100 euro, ndërsa në korrik i kalon të 150 eurot.

Kompania tjetër ndërkohë, “Wizzair” ofron çmime pak më të shtrenjta për të njëjtën periudhë kohe. E njëjta gjë vlen edhe për itinerarin Tiranë-Milano, sidomos në kulm të sezonit, me festat e fundvitit në prag dhe ku kërkesa është mjaft e lartë nga shqiptarët që duan të kthehen në atdhe. Drejt Milanos, “Easyjet” ofron çmime thuajse të njëjta me Londrën, sidomos në sezon të ngarkuar.