Përfundon rikonstruksioni, transformohet rruga e Kombinatit

91

Rruga e dëmtuar ndër vite, me ujërat e zeza që rrezikonin të ktheheshin në burim infeksioni, është thjesht një kujtim i shëmtuar për mijëra banorët e Kombinatit, por jo vetëm. Tashmë hyrja nga Kombinati për në Tiranë ka marrë një pamje krejtësisht të re. Bashkia e Tiranës ka realizuar rikonstruksionin e plotë të segmentit rrugor nga mbikalimi i Shkollës Teknologjike deri në Kombinat, si hyrja e katërt e kryeqytetit.

Rruga e re ka jo vetëm trotuarë të rinj, por edhe një rrjet të ri të ujësjellës kanalizimesh i cili datonte dekada më parë. Ky aks ka në të dyja krahët korsi të dedikuara për biçikletat, çka do të jetë një shtysë edhe më shumë për përdorimin e dyrrotakëve si një alternativë, jo vetëm me më pak kosto, por edhe më e shëndetshme për lëvizjen në Tiranë.

Zgjidhje ka marrë edhe çështja e ndriçimit dhe e sinjalistikës e cila për shumë vite ishte një ndër burimet e aksidenteve të shumta. Bashkia ka vendosur sinjalistikën e plotë dhe e gjithë kjo rrugë është tërësisht e ndriçuar duke krijuar më shumë siguri si për drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe për qytetarët.