Pesë këshilla si t’i trajtoni fëmijët

344

Marëdhëniet që fëmijët krijojnë kur shkojnë për herë të parë në kopsht nuk janë të thejshta, sepse ata përballen me shumë bashkëmoshatarë që vijnë nga realitete të ndryshme shoqërore e kulturore. Për këtë roli i edukatores është shumë i rëndësishëm. Edukatoret duhet të dinë t’i edukojnë fëmijët, të përcjellin tek ata dashurinë për dijen, të nxisin kuriozitetin për gjërat e reja si dhe të jenë ndërmjetëse të marrëdhënieve të fëmijëve mes njëri-tjetrit. Duke qenë figurë me kaq ndikim në formimin e vogëlushëve, edukatoret duhet të kenë parasysh disa fjalë e sjellje që nuk duhet t’i bëjnë kurrë me fëmijët.

1-“Lëre atë, nuk je në gjendje ta bësh”
Duke marrë parasysh se në moshën që fëmija është në kopsht ndërtohet bazat e karakterit të tij, një frazë e tillë do të ndikonte shumë negativisht duke ulur vetëbesimin e fëmijës. Duke menduar se nuk është i aftë të bëjë asgjë, fëmija do të stepet përpara gjithçkaje, do të bëhet i ndrojtur e do të ketë frikë.

2-“Budalla”
Kurrë mos ia thoni këtë fjalë fëmijëve, sado të ekzagjeruara të jenë sjelljet e tyre. Fyerjet do t’i bëjnë ata të ndihen gjithmonë të etiketuar dhe “në shënjestër” e pikërisht institucionet edukuese këtë gjë duhet të shmangin.

3-Mos injoroni shqetësimiet e tyre
Në ditët e sotme rreziqet që fëmija të ngacmohet nga të tjerët janë rritur, sidomos nga përdorimi i teknologjisë. Fëmijët e kanë shumë të vështirë të tregojnë për këto probleme, sepse ndihen fajtorë për atë që u ndodh, por nëse vini re shenja shqetësimi, mos i injoroni. Flisni me ta për të kuptuar se ç’po ndodh.

4-Jepini shanse të përmirësohen atyre që gabojnë
Kur një fëmijë bën gabime, nuk është mirë t’ja vini në dukje përpara gjithë klasës apo grupit, duke e bërë objekt talljeje për bashkëmoshatarët. Fëmija duhet të kuptojë se gabimet janë të natyrshme dhe gjithmonë duhet t’i jepet mundësia për t’i rregulluar. Ku tjetër më mirë se në kopsht e shkollë mund të bëhet kjo?

5-Mos bëni krahasime me shokët
Në kopsht ka karaktere të ndryshme. Fëmijët duhen edukuar me idenë që secili prej tyre është i veçanë dhe duhet ta respektojnë këtë. Duhet theksuar se diversiteti është burim i të mësuarit e të mos bëhen krahasime mes tyre. Nëse i krahasoni, fëmijët nuk do të ndihen të lirshëm të shprehen, pasi do të kenë parasyh standardet e dikujt tjetër.