Rehabilitohet muri rrethues pranë kishës së “Shën Kollit” në Kalanë e Beratit

22

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat po punojnë për mirëmbajtjen e murit rrethues pranë kishës së “Shën Kollit” në lagjen “Kala”.

Sipas DRTK-së, ndërhyrja po kryhet në anën e sipërme pranë kishës, të ndërtuar që në shekullin e XVI.

“Pas konstatimit të problematikës, ku rrëzimi i murit rrezikon dhe kalimin e qytetarëve në këtë rrugicë, u morën masa dhe po vazhdohet me ndërhyrjen”, – shprehet DRTK.

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike, e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.

Në brendësi të kësaj kështjelle ndodhen rreth 14 kisha të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar këtë kështjellë. Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, i përket fundit të shek.XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së “Shën Todrit” gjenden kishat e “Shën Kollit”, “Shën Kostandinit”, “Shën Helenës”, etj