Restaurohet banesa monument kulture në Berat (Foto)

35

Në tjetër ndërhyrje restauruese e përfunduar dhe një banesë monument kulture e shpëtuar në qytetin e Beratit.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare ka përfunduar restaurimin e banesës së Llazar Zanati, në lagje Goricë.

Ndërhyrja restauruese u përqendrua në heqjen e materialit drusor të amortizuar në pjesën e frontonit të çatisë si dhe zbërthimin e pjesshëm të kësaj të fundit. Po ashtu u vendos streha me një palë bishta, që do të mbrojë kreun e murit të gurit, që ishte i ekspozuar nga agjentët atmosferikë (shirat, etj).

Pamja fillestare e kësaj banese ka qenë me çardak në gjithë ballin e saj dhe me një arkitekturë interesante.

Kjo banesë sot gëzon statusin juridik monument kulture, kat. II, në lagjen Goricë. Ajo u restaurua falë bashkëpunimit të DRKK Berat me CHWB Albania.

Ndërsa ansambli i lagjes “Goricë” shpaloset në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit atë e ndan lumi Osum dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës.

Sipas Çelebiut, në shek. XVII lagjja numëronte 200 shtëpi, ndërsa pamjet e sotme arkitektonike të banesave, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, u janë nënshtruar rindërtimeve të thella pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1851. Disa banesa dhe porta, në ballin e tyre mbajnë pikërisht datimin e kësaj periudhe rindërtimi, pra, të gjysmës së dytë të shek.