Rikthehet Maratona e Tiranës, më shumë se 2500 vrapues nga 40 vende të botës

0
147

Maratona e Tiranës 2018 vjen këtë vit me edicionin e saj të 3-të si eventi më i madh sportiv në vend. Këtë e dëshmon edhe pjesëmarrja e më shumë se 2500 vrapuesve nga 40 vende të ndryshme të botës.

Rritja e numrit të pjesëmarrësve ndër vite është një tregues i mire, se kjo garë është bërë e dashur për qytetarët e Tiranës dhe më gjerë.

Edicioni i 3-të i këtij aktiviteti, i cili tashmë po kthehet në traditë organizohet me aprovimin e dy itinerareve të rinj nga Federata Botërore e Atletikës, duke i dhënë seriozitetin e një aktiviteti ndërkombëtar dhe me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Atletikës.

Gara do të mbahet me datë 7 tetor dhe do të ketë 3 kategori; Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10K dhe “We too” kjo një kategori që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive.

Nuk do të mungojë as gara Fun Run, e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe me datë 6 tetor 2018 me të rinjtë e Shkollave te Mesme të Tiranës.

Me projektin “Fun Run” Bashkia e Tiranës synon të edukojë brezat përmes sportit, për të qenë të vendosur dhe me vetëbesim, në rrugën e tyre për të arritur qëllimet e tyre. Gjithashtu, kjo të jetë një mënyrë e mirë për t’i nxitur të angazhohen me sport dhe të fillojnë të përgatiten për të konkurruar pas disa vitesh në Maratonën e Tiranës.

Itineraret e rinj të certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës – IAAF, do të përshkruajnë pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë por edhe në argëtim.

Përveç se një ngjarje sportive për garuesit, do të mund të konsiderohet edhe një ditë festive për qytetin, në të cilin do të organizohen shumë aktivitete artistiko-kulturore në kuadër të këtij eventi.

Çmimet për fituesit do të jenë të shumta, duke e kthyer garën në një sfidë.