Rriten ndjeshëm remitancat, ja sa milionë euro sollen emigrantët shqiptarë

27

Remitancat u rritën përsëri në tremujorin e tretë dhe gjatë këtij viti kanë arritur nivelet më të larta të regjistruara në epokën e post-krizës ekonomike.

Sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 185 milionë eurove, në rritje me 15 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për gjithë 9-mujorin e parë, remitancat arritën vlerën e 520 milionë eurove, në rritje vjetore me rreth 4%.

Ekspertët mendojnë se kthimi i rritjes së remitancave në vitet e fundit i detyrohet sidomos valës së re të emigracionit gjatë viteve të krizës ekonomike.

Nëse emigrantët e viteve ‘90 e kanë ngritur jetën jashtë vendit dhe i kanë ulur gradualisht lidhjet me Shqipërinë, emigrantët e rinj kanë krijuar ura të reja, që, mes të tjerash, kanë sjellë edhe rritje të flukseve të remitancave.

Një studim i Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka treguar se remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Ato kontribuojnë në arsimim, shëndetësi, investime, por sidomos në uljen e varfërisë.

Por, përveç kontributit të remitancave, shqiptarët po kërkojnë mundësi punësimi jashtë qoftë në mënyrë të përkohshme apo edhe duke punuar nga Shqipëria.

Të ardhurat nga puna jashtë vendit po bëhen një burim gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë. Sipas Bankës së Shqipërisë për 9-mujorin e parë të këtij këto të ardhura kishin vlerën e 220 milionë eurove, në rritje me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo shumë përfshin të ardhurat nga punësimi sezonal i shqiptarëve jashtë vendit ose nga puna në distancë që shqiptarët kryejnë për subjekte që ndodhen jashtë Shqipërisë.