SEM, Posta Shqiptare me shërbimin e ri ekspres

208

Posta Shqiptare ka hedhur në treg që prej datës 1 shtator 2018, shërbimin e ri ekspres për jashtë vendit, të quajtur Super Ekspres Mail (SEM).

“Ky do të jetë shërbimi më i shpejtë për jashtë vendit i ofruar ndonjëherë nga Posta Shqiptare, në bashkëpunim me kompani postare të cilat zënë një pjesë të rëndësishme të tregjeve botërore. Afati i shpërndarjes së objekteve në destinacion është 24 orë nga momenti i daljes së objektit nga Shqipëria, për objektet me destinacion Europën dhe 48 orë për vendet e tjera të botës si: Amerikë, Kanada, Azi”, deklaron Posta Shqiptare.

Po ashtu, Posta Shqiptare jep detaje të shërbimit të ri të quajtuar Super Ekspres Mail (SEM).

“Shërbimi i ri synon përmirësimin e ndjeshëm të performancës së postës ekspres për jashtë vendit, duke plotësuar gamën e shërbimeve të cilat ne ofrojmë, pa cënuar shërbimet ekzistuese si Ekspres Mail Service (EMS), shërbimet e regjistruara apo ato bazë. Shërbimi SEM, si vlerë të shtuar të tij ka edhe shërbimin e sigurimit të përmbajtjes, i cili i mundëson klientëve tanë që kundrejt një pagese ekstra prej 500 lekë në tarifën e objektit postar që dërgohet, të dëmshpërblehen me shumën fikse prej 400 USD në rast humbje të objektit postar”, shprehet Posta Shqiptare.

Po ashtu bëhet e qartë nga Posta Shqiptare se shërbimi fillimisht do të ofrohet në çdo zyrë postare qendër qyteti, për t’u zgjeruar më pas në të gjitha zyrat postare ku ofrohet shërbim postar.