Sezoni i plazhit, në funksion 25 qendra shëndetësore

0
173

Për të garantuar një sezon të mirë turistik, Ministria e Shëndetësisë edhe këtë vit ka ngritur 25  qendra që ofrojnë shërbim shëndetësor  në zonat turistike bregdetare dhe ato malore.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se duke filluar nga data 1 qershor ka nisur funksionimi i këtyre shërbimeve 24 orëshe dhe përveçse janë marrë ambiente me qira, janë vënë në dispozicion dhe ambulanca, ku mund të jepet ndihma e parë për pushuesit.

Në çdo qendër shëndetësore të ngritur vetëm për sezonin turistik ofrojnë shërbim një mjek dhe një infermier. Për këtë qëllim janë shtuar 58 mjekë dhe 58 infermierë, ndaj, pushuesit të cilët zgjedhin zona larg qytetit për të pushuar dhe ku  përgjatë Detit Jon, apo Detit Adriatik  dhe ku spitali është larg, duhet të informohen më parë se ku janë instaluar këto qendra shëndetësore.

Në Qarkun e Shkodrës janë ngritur 4 qendra të tilla, ku përveç Velipojës ato funksionojnë në Theth, Razëm dhe Tamarë.

Në Qarkun e Vlorës qendra shëndetësore 24-orëshe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka në Zvërnec, Plazhin e Vjetër, Plazhin e Radhimës, Dhërmi, Himarë dhe Qeparo.

Qendrat shëndetësore të ngritura në disa zona bregdetare do të funksionojnë deri më 31 gusht, ndërsa në disa të tjera, të cilat mendohet se frekuentohen masivisht edhe më vonë,  përfshirë edhe zonat turistike malore, ato do të funksionojnë deri më 15 shtator.

Burimi: Top Channel