Shkencëtarët: Drita e diellit mund të shndërrohet në karburant

0
76

Një zbulim i ri mund të shënojë një kthesë të madhe në fushën e karburanteve, në një kohë kur janë rritur shqetësimet për raportin mes resurseve natyrore në rënie dhe popullsisë së planetit në rritje.

Shkencëtarët kanë gjetur një mënyrë për të shndërruar dritën e diellit në lëndë të djegshme. Kjo mund të çojë në burime të pakufizuara energjie të rinovueshme.

Studiuesit e Universitetit të Kembrixhit kanë arritur të ndajnë ujin në hidrogjen dhe oksigjen. Kjo është realizuar falë një teknike të quajtur fotosinteza gjysmëartificiale, e cila bazohet në të njëjtin proces prej të cilit bimët e kthejnë dritën e diellit në energji.

Hidrogjeni që përftohet pas ndarjes së ujit mund të shërbejë si burim i pafund energjie të rinovueshme. Shkencëtarët e arritën këtë falë riaktivizimit të hidrogjenezës, një enzimë që gjendet te algat dhe i kthen protonet në hidrogjen.

Oksigjeni prodhohet në sajë të fotosintezës, kur uji i përthithur nga bima ndahet. Ky është reaksioni më i rëndësishëm në natyrë sepse bën të mundur furnizimin e planetit me oksigjen.

Teknika e re e ndarjes së ujit si proces që kryhet përmes energjisë diellore u eksperimentua për herë të parë në Laboratorin e Kimisë, në Universitetin e Kembrixhit.

Fotosinteza artificiale ka qenë një opsion për vite me radhë, por nuk është aplikuar me sukses në fushën e energjisë së rinovueshme, për shkak të katalizatorëve, të cilët janë të shtrenjtë dhe toksikë.

Studiuesit thonë se gjetjet e tyre do të mundësojnë zhvillimin e sistemeve të reja inovative të konvertimit të energjisë diellore.