Shkrimi i vitit 1653: Kush ishte Gjergj Kastrioti?

0
170

 

1601118_263653013813334_6254627888854513241_n

Prifti, At Nicolas Caussin, ka lindur në vitin 1583 në qytetin francez të Troyes. Ndërroi jetë në 1651. Dy vite më vonë, më 1653, u publikua libri i tij me titullin “Oborri i shenjtë i At Nicolas Caussin”, me një volum prej 748 faqesh. Në këtë libër gjejmë shkrimin i tij të shkurtër, por tepër interesant, për heroin tonë kombëtar, princin e Matit dhe mbretin e Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun.

Nga Aurenc Bebja

Shkrimi titullohet: “Georges Castriot”. Rikthimi i tij në shqip ishte disi i vështirë, sepse është shkruajtur në frëngjishten e vjetër. Si fillim, më është dashur ta risjell atë në frëngjishten e tanishme, dhe në vijim ta përshtas në gjuhën tonë. Jam munduar t’u qëndroj besnik fjalëve të autorit, megjithëse nuk ishte një mision tepër i lehtë, por mundi ia vlen për vepra të tilla, të cilat janë të rralla dhe me rëndësi kombëtare.

Fillimet e Gjergj Kastriotit

Shoh në Kastriotin, dikë më të madh se Leonidasi dhe Themistokli, shoh Pirron, shoh Aleksandrin e Madh, edhe pse armiqtë e tij ishin më të fortë sesa ata të maqedonasit, pra guximi i tij nuk duhet nënvleftësuar. Ai ishte ushtar para se të bëhej burrë, dhe natyrshëm u gjet me shpatë në dorë dhe kurajo në zemër.

I madh, me një fytyrë magjepse, i fuqishëm dhe i shëndetshëm, sytë e tij kompozoheshin mes ylberit dhe rrufesë, duart e tij qenë krijuar për të mbajtur shkëndijat e rrufesë, këmbët e tij nuk ngjasonin me asnjeri, të gjitha këto tipare paralajmëronin famën (suksesin) e tij.

Si Shqiponjë e vogël, filloi që në fëmijëri të luajë me rrufetë. Këtij Herkuli iu desh të fillojë dhe tu marrë frymën gjarpërinjve të djepit të tij, iu desh të ushqehej në mes të armiqve dhe të luftojë që i mitur kundra të rriturve. I ati, Gjon Kastrioti, i cili kishte pak forca dhe shumë fatkeqësi, u detyrua ta dërgojë peng dhe të rritet tek Turqit e Muratit.

Pallati sulltanor i imponoi emrin Skënderbe, që është ai i Aleksandrit, emër i cili i solli mbarësi dhe e respektoi me plot fjalën. U trajnua në të gjitha ushtrimet e milicisë së akademisë turke, ku ia arriti me forcë, aftësi, e miratim, dhe ku secili e shikonte atë si një mbështetës të veçantë të Perandorisë së Muhamedit.

Por, ai, në zemër kishte gjithmonë Jezusin, mendonte gjithmonë të gjente mënyra për tu shkëputur nga Perandoria. Në brendësi të shpirtit të tij, kishte një flakë, e cila e përvëlonte për zellin që kishte për të rimëkëmbur altarët e krishterëve të vrarë dhe të shkatërronte Shtetin e osmanlinjve.

Dyshimet dhe kurthet e Sulltan Muratit

Sulltan Murati filloi të kishte frikë nga skllavi i tij, dhe pati frikë të ushqejë në Pallatin e tij një luan që një ditë do të ishte i aftë ti tregonte dhëmbët.

Në beteja të ndryshme, tentoi ta fuste në kurth për ta zhdukur duke përfituar nga guximi i pafundëm i Skënderbeut. Një “ scythe” (banor i lashtë i Azisë qendrore) kishte ardhur në oborrin e Muratit për t’u ndeshur në një kafaz të mbyllur me rivalë të tjerë për jetë a vdekje. Fitoi duele të shumta dhe kishte besim të tepërt në forcën e tij. Secili rrotull kishte frikë kur guximtari Kastriot u ndesh me të, por ai i drodhi qafën me një dorë, dhe e vrau me tjetrën. Ata që nuk u mërzitën e duartrokitën.

Meqë ky duel i doli huq Muratit, ai gjeti një rast tjetër nëpërmjet një kalorësi persian, i cili kërkonte me ngulm të bënte duel me heshtë (shtizë). Ishte një burrë që e njihte mirë këtë profesion, i cili lëvizte nëpër qytete dhe provinca, ku kërkonte përballje me kundërshtarë për tu përmirësuar dhe rritur reputacionin e tij.

Duhej një David për këtë Goliat, Aleksandri ynë i ri, vrapon drejt tij si një shqiponjë, e tërheq zvarrë dhe e shtrin për tokë persianin, i cili villte shpirt e gjak.

Por, Murati, i cili luante personazhin e Saulit (mbretit të parë të izraelitëve), nuk reshti kurrë së gjeturi raste të tjera për të ushtruar Davidin e tij. Në luftë, i dha punë nga më të ndryshmet, por Skënderbeu korrte gjithmonë sukses, transformonte në trofe të gjitha çështjet që mund të shkaktonin rrënimin të tij dhe kthehej i gjallë nga goja e luanëve.

Ngjitja e Gjergj Kastriotit, rënia e Sulltan Muratit

Sulltan tradhtari i thurte fjalë (lavde) të bukura Skënderbeut…I premtonte se do ti dorëzonte Shtetet (Tokat) pas vdekjes së babait, por ditën e fundit të jetës së Gjon Kastriotit, fjalë e tij dëshmuan se ishin mashtrime dhe premtimet i mori era.

Skënderbeut i kishte sosur durimi dhe vendosi të marrë Mbretërinë e Shqipërisë me një lojë taktike delikate. Lajmi bujshëm shkon në Pallatin e Sulltanit, dhe të gjitha qëllimet e Muratit ishin hakmarrja. Hali Bassa (Ali ose Halit Pasha) dërgohet me 40 mijë ushtarë për t’i dhënë fund kësaj situate. Por, të gjithë trupat e tij u shpartalluan dhe nuk u mbeti asgjë për tu krenuar, përveçse ndoshta humbja ndaj Kastriot trimit…

Çfarë mund të themi më shumë për madhështinë e Skënderbeut? Fytyra tiranike dhe e ashpër e sulltanit, e cila pati qenë e tillë gjatë gjithë jetës së tij, u zbut dhe mori shenjat e një lutësi. Ai kërkoi paqen, por ia refuzuan, kërkoi një marrëveshje por e përçmuan. Arrogant, i ndjerë i provokuar, erdhi me 200 mijë ushtarë në Krujë, në kryeqytetin e Kastriot guximtarit (Sulltani dështoi plotësisht). Ai që kishte jetuar me lavdi, vdiq nga trishtimi i poshtërimit të tij dhe mori me vete në botën tjetër pafuqinë dhe dëshirën e përjetshme të hakmarrjes.

Mehmeti, djali i tij, terrori i Universit, i cili rrëzoi dy Perandori, pushtoi 200 qytete, vrau 20 milion njerëz, erdhi dhe dështoi po në këtë vend shkëmbor. A ishte e nevojshme gjithë kjo gjakderdhje për të shkruajtur mbi trofetë e Kastriotit titullin i Pamposhtur?

Homazh për kontributin e Gjergj Kastriotit

Kush do ta kishte besuar së një njeri i vdekshëm do të arrinte deri në këtë pikë? Sigurisht, duhet pranuar se ai e huazoi emrin e tij tek Zoti për të gjitha këto, dhe anasjelltas Zoti i huazoi krahun e tij.

Thuhet për të që nuk refuzoi kurrë një betejë, kurrë nuk e ktheu shpinën, kurrë nuk u plagos, përveçse një herë fare lehtë. Ai ka vrarë dy mijë barbarë me dorën (shpatën) e tij. Mehmeti, djali i Muratit, dëshironte të prekte këtë shpatë të cilën Skënderbeu përdorte, e admiroj atë edhe pse ishte e larë me gjak turqsh. Atij i ra në dorë shpata e çelikut, por kurrë krahu që e përdorte.

O Kastriot trimi, në qoftë se katolikët mundën të shpëtonin nga tirania e Sulltanëve, kjo mund të ndodhte falë teje. Duhet pohuar që plagët tona ishin të pashërueshme, dhe përçarjet mes nesh na penguan ti sillnim ndihmë dorës tënde hyjnore. Ethet të morën jetën në qytetin e Lezhës…Pasi jetove si Komandanti më i admiruar, ti vdiqe si një fetar i vërtetë, duke prekur të gjithë zemrat e atyre që tu përkushtuan me shumë ndjeshmëri…

Dhe, tani, ti nuk ke nevojë që të të gjejmë varrin, sepse memoria jote ka gjetur po aq monumente sa ka zemra ndër shekuj.

Burimi: Tema