Shpallje konkursi për përzgjedhjen e një artisti shqiptar që do të jetë pjesë e “Artist in Rezidence”, në Salsburg (Austri) 28 prill – 31 maj 2017

284

big_artist-in-residence-program

Thirrje e hapur për aplikim në kuadër të programit “Artist in  Residencë”, i cili bazohet në “Protokollin e Bashkëpunimit” të nënshkruar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Landi i Salsburgut i Republikës Federale të Austrisë.

Qëllimi i Protokollit

Qëllimi i këtij Protokolli Bashkëpunimi është krijimi i kuadrit të përgjithshëm, në bazë të të cilit palët do të mbështesin shkëmbimin e artistëve, duke mundësuar udhëtimin dhe qëndrimin e një artisti shqiptar në Austri dhe të një artisti austriak në Shqipëri.

Programi “Artist in Rezidencë”, mirëpret artistin shqiptar në saj të këtij bashkëpunimi të institucionalizuar, që do të synojë krijimin e hapësirave bashkëvepruese midis artistëve e rinj, në fushën e arteve pamore, si dhe shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme mes vendeve respektive. Artisti i përzgjedhur do të marrë pjesë në programin “Artist in Rezidence” në Landin e Salsburgut, për një periudhë kohore nga data 28 prill – 31 maj 2017.

Synimi i Programit “Artist in Rezidence”

Synimi kryesor i këtij programi është që artistëve nga të dy shtetet t’u jepet mundësia të njihen me sferën artistike dhe kulturore të shtetit tjetër, dhe me veprat e tyre ti ekspozojnë me ato të artistëve të tjerë, ose t’i krijojnë së bashku, nëpërmjet një bashkëpunimi artistik në hapsirën ndërkombëtare.

Pala Austriake ka tashmë gati vendin e akomodimit dhe studion e punës për artistin shqiptar në të ashtuquajturën “Banesa e Artistëve në Salzburg”, ndërsa Ministria e Kulturës merr përsipër mbulimin e kostove të qëndrimit të artistit shqiptar në Salsburg si dhe shpenzimet e udhëtimit ndërkombëtar. Gjatë kohës së baninit në rezidencë, përveç vendosjes së kontakteve profesionale artisti, do të ketë mundësi të hapë një ekspozitë në fund të rezidencës së tij.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit të Konkursit:

Shpallja e Konkursit bëhet më datë  31.10.2016

Data e fundit e aplikimeve 25.11.2016

Shpallja e fituesit do të bëhet me datë 30.11.2016

Fituesi do të njoftohet publikisht nga Ministria e Kulturës.

Kushtet e pjesëmarrjes në konkurs:

Në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë të rinj në fushën e arteve pamore nga mosha 25 – 40 vjeç

Artisti pjesëmarrës në konkurs duhet të aplikojë online në adresat zyrtare të Ministrisë së Kulturës: [email protected]; [email protected];

  • Kartë identiteti (jpg/pdf)
  • Diploma e Universitetit (jpg/pdf)
  • Vërtetim pune, nëse ka (jpg/pdf)
  • Foto (jpg/pdf)
  • C.V (word/pdf)
  • Dy letra rekomandimi (word/pdf)
  • Një dosje elektronike/folder (ku të jenë të ruajtura jo më pak se pesë nga punët tuaja. Punët duhet të jenë të 3-5 viteve të fundit dhe nuk duhet të jenë nga periudha e shkollës. Nëse ka video, ato duhet të ngrakohen në një portal si psh: youtube, vimeo, facebook, etj. dhe të dërgohet vetëm si link. Secila punë duhet të shoqërohet nga të gjitha të dhënat teknike dhe koncepti. Pranohen të gjitha gjinitë e arteve pamore.)
  • Letër motivimi (përshkruani karakterin e punës suaj si artist, një përshkrim të shkurtër të atmosferës artistike ku bëni pjesë dhe kushtojini rëndësi arsyetimit, pse është e nevojshme për ju kjo rezidencë. (Teksti jo më pak se 300 fjalë)

Artisti do të marr një e-mail konfirmimi për aplikimin e pranuar të tij. Mungesa e një, ose më shumë dokumentave të kërkuar më sipër, nuk ju kualifikon në konkurs.

Organizimi i Konkursit:

Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve do të realizojnë të gjithë procesin e realizimit të konkursit për përzgjedhjen e Artistit të Rezidencës në Austri.

Juria:

Juria e Konkursit do të përbëhet nga ekspertë të fushës së artit dhe e kulturës.

Vendimi i Jurisë është publik dhe i formës së prerë.