”Shpirti arbëresh në veshje”, me 31 gusht në Tiranë

0
153

“Shpirti arbëresh në veshje” titullohet ekspozita që pritet të hapet më 31 gusht në Muzeun Historik Kombëtar, ku veshjet e paraqitura përfshijnë historinë e arbëreshëve të Italisë së Jugut duke përshkruar shpirtin e një populli që ka identitetin e tij kulturor.

Kjo ekspozitë çelet nga Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Ekspozita pasqyron shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, duke filluar me shpërnguljen e parë (1416-1448) në krahinën e Katanxaros (Garafa, Karfici, Puhëriu, Shën Koli, Vina etj.); më pas vjen shpërngulja e dytë (1459-1462) në krahinën e Avelinos (Greçi e Picilia).

Shpërngulja e tretë (1468-1506) lidhet me krahinën e Kozencës (Ejanina, Falkunara, Farneta, Ferma, Frasnita, Kastërnexhi, Maqi, Marri, Mbuzati, Pllatani, Shën Japku, Shën Mitri, Shën Sofia, Shën Vasili, Ungra etj.).

Stendat e radhës pasqyrojnë shpërnguljen e katërt (1532-1534) në krahinën e Palermos (Hora e Arbëreshëve, Sëndastina, Shën Pali etj.), si edhe shpërnguljen e pestë (1647-1664) në krahinën e Kampobasos (Këmarini, Munxhufuni, Posrtkanuni, Ruri etj.).

Duhet theksuar fakti se shpërnguljet e fundit të shqiptarëve, shpërngulja e gjashtë dhe e shtatë, zhvillohet pothuajse në pjesën më të madhe të katundeve të përmendura me lart.

Kostumet janë një “status simbol” i ambientit shoqëror, ato i bashkojnë dhe i barazojnë njerëzit. Kukullat, modele në miniaturë, dëshmojnë kulturën arbëreshe.