Shqipëria prezanton potencialet turistike në ITB Berlin

297

Shqipëria po prezanton potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB BERLIN”, i cili hapi dyert më 8 mars dhe do të mbyllet më 12 mars 2017. Në këtë panair marrin pjesë rreth 187 shtete, dhe afro 6000 përfaqësues të mediave të ndryshme prestigjoze.
Shqipëria prezantohet këtë vit me një stendë 120 metra katrorë, ku një numër mjaft i konsiderueshem vizitorësh kanë frekuentuar hapësirën shqiptare në panair, që në ditën e parë.


Stafi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, që prezanton Shqipërinë, ka shpërndarë informacion të plotë si dhe materiale të ndryshme promocionale për të gjithë pjesëmarrësit për ta njohur sa më mirë Shqipërinë dhe ofertën turistike të saj.
Media të njohura si: BBC, TV 20minutes etj, ishin pjesë e intervistave të dhëna nga AKT gjatë ditës së parë të Panairit.


Me mjaft interes ishin takimet e zhvilluara me dy operatorë të rëndësishëm nga Polonia, të cilët tashmë operojnë me fluturime charter drejt vendit tonë, duke sjellë kështu vizitorë nga Polonia dhe Republika Çeke.
ITB Berlin është panairi i radhës ku Shqipëria po prezantohet këtë vit, duke nisur me Utreht Holandë, CMT Shtutgard, IMTM Izrael, IFT Beograd, Nature Alps Slovenia ndërsa promovimi i Shqipërisë do vijojë së afërmi me Moskën dhe vende të tjera.