Studimi/ Kafe me apo pa qumësht, ja cila i bën më mirë shëndetit

116

Kafeja është një nga pijet më të rëndësishme për të nisur ditën çdo mëngjes. Ajo është transformuar në një përbërës tejet të nevojshëm për një paradite energjike. Disa e pijnë kafenë me qumësht e me shumë sheqer, disa zgjedhin ta pinë shqeto, të zezë e pa shtesa të tjera. Pasi të keni lexuar këtë artikull do të jeni në gjendje të dalloni alternativën më të shëndetshme mes kafesë me qumësht dhe asaj pa qumësht.

Kaloritë dhe yndyrnat
Një filxhan me kafe pa qumësht përmban 10 kalori dhe aspak yndyrë. Përmbajtja e këtyre të dyjave rritet në varësi të sasisë dhe llojit të qumështit të përdorur. Një filxhan me qumësht pa yndyrë përmban 90 kalori.

Kafeina
Kafeja e bluar dhe e zier në çast ka më shumë kafeinë se një kafe ekspres. Kafetë e përziera me qumësht kanë më pak kafeinë.

Aciditeti
Nëse aciditeti i tepërt ju bën dëm, atëherë qumështi mund të zbusë nivelin e tij. Njerëzit që vuajnë nga urthi thonë se qumështi e bën kafenë më të pranueshme nga organizmi.

Kalçiumi
Nëse kalçiumi ose vlera të tjera ushqimore janë të nevojshme për ju, atëherë mund të përdorni kafe me qumësht. Megjithatë, sasia e qumështit dhe kalçiumit në një filxhan me kafe është tepër e vogël për të bërë një ndryshim madhor në shëndetin tuaj.

Intoleranca
Nëse ju jeni të prekur nga intoleranca ndaj laktozës, atëherë opsioni më i shëndetshëm për ju është kafeja shqeto.

Kompromisi
Makiato, është një nga kafetë më të preferuara për shqiptarët pas kafesë turke. Shqiptarët janë një popull që sipas The Economist, e do kafenë më shumë se çajin dhe shpenzon shumë kohë nëpër kafene. Të dhënat e Institutit të Statistikave thonë se një shqiptar konsumon mesatarisht 3.1 kg kafe në vit.

Pjesa më e madhe e amvisave preferojnë kafenë turke pirja e së cilës sipas të dhënave në Shqipëri arrin deri në 30 milionë filxhanë në vit. Megjithatë, ekspertët thonë se njerëzit që vuajnë nga diabeti, duhet të konsumojnë më mirë kafe pa qumësht sepse ky i fundit përmban 5% sheqer në formën e laktozës.