TAP investon në aksin rrugor që lidh Fierin me disa fshatra

233

Gazjellësi Trans Adriatik (TAP) ka përfunduar gjatë muajit shkurt përmirësimin e segmentit rrugor që lidh rreth 3’000 banorë të fshatrave Seman i Ri, Baltëz dhe Hamil me qytetin e Fierit.

Pas përmirësimit të këtij segmenti rrugor prej 8 kilometrash, TAP ka ndërhyrë edhe në një sërë rrugësh të brendshme dhe rrugësh hyrëse. Gjithashtu janë pastruar dhe sistemuar kanalet përgjatë rrugës, sidomos në fshatrat Baltëz dhe Hamil.

Sistemimi i këtij segmenti rrugor është pjesë e investimeve të TAP në përmirësimin e përgjithshëm të infrastrukturës rrugore përgjatë gjithë korridorit të punimeve.

Gjatë fazës së parë, përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit, janë rindërtuar dhe përmirësuar mbi 58 km rrugë, janë përmirësuar 40 ura ekzistuese dhe janë ndërtuar 2 ura të reja. Gjatë fazës së dytë të punimeve do të rindërtohen dhe përmirësohen rreth 120 km rrugë të tjera.

Përmirësimi i kushteve të jetesës dhe zhvillimi i komuniteteve përgjatë gjurmës së gazjellësit është dhe do të vazhdojë të jetë në fokusin e projektit TAP. Ndërtimi i marrëdhënieve afatgjata dhe bashkëpunimi me komunitetet është shumë i rëndësishëm për TAP pasi prania e këtij projekti në Shqipëri do të jetë për një kohë shumë të gjatë.

Burimi: Lexo.al