Tirana qyteti më ”cool” i Evropës?

406

Për titullin qyteti më “cool” i Europës ka shumë pretendentë seriozë. Barcelona, Brukseli, Birmingham-i. Por, të gjitha këto duhet t’ia lënë vendin një tjetër kryeqyteti në listë, Tiranës.

Ju duket e çuditshme? Atëherë tregohu i vëmendshëm! Tirana është jo vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, është gjithashtu edhe qendra e saj nevralgjike, aty ku e kaluara, e tashmja dhe kryesisht e ardhmja e këtij kombi që po rilind, përplasen në një vorbull historie, trafiku dhe arti.

Pas zgjimit nga thundra e diktaturës komuniste në vitet ’90, Tirana u shndërrua në një qytet krahëhapur për ata që e vizitojnë. Mes relikeve otomane, italiane dhe politike, Tirana zbulohet në një rrugë bulevardesh rrethuar nga minare, murale socialiste dhe vepra arkitektonike, që ngjallin kureshtje, të cilat nuk i gjen në asnjë vend tjetër.

Magjia e veçantë e saj merr përmasa edhe më të mëdha në çdo perëndim dielli, me zhurmimin e shëtitjes së mbrëmjes në një version shqiptar të “passeggiata-s”, që në ditët e sotme më tepër shenjon fillimin e një nate të paharrueshme, se sa fundin e një dite të zakonshme. Gjithçka, me veçantinë karakteristike shqiptare, e cila do të të bëjë të kuptosh se je duke zbuluar një nga sekretet e ruajtura më mirë në Europë.

Çdo gjë rrotullohet rreth sheshit “Skënderbej”. Faktori “cool” i Tiranës fokusohet tek zona e Bllokut, shumë pranë qendrës së qytetit dhe sheshit “Skënderbej”, ku gjendet Teatri i Operas dhe i Baletit dhe Galeria Kombëtare. Dikur kjo zonë ishte e rezervuar për elitën politike të Shqipërisë dhe hyrja ishte e ndaluar për pjesën tjetër të njerëzve. Me rënien e diktaturës në 1991, Blloku u shfaq për herë të parë para shqiptarëve dhe duke e parë tani, mund ta përfytyrojmë reagimin e tyre. Me një ndërthurje rrugësh të gjera, vilash dhe hapësirash të gjelbra, Blloku nuk i largohet shumë stilit arkitektonik tradicional komunist. Me baret, restorantet dhe dyqanet të cilat do të zbehnin edhe 5th Avenue në Nju Jork, Blloku do të bën të pyesësh sërish veten për çdo përshtypje që mund të kesh krijuar mbi Tiranën.

Dhe duke qenë se përmendëm baret… bëhu gati, sepse Tirana ka bare me shumicë. Në përgjithësi Ballkani është një rajon i cili i parapëlqen shumë daljet në kafene përgjatë ditës dhe Shqipëria nuk ngelet pas.

Çoko, një bar në një vilë të vjetër të rikonstruktuar në mes të Bllokut, për një moment të krijon përshtypjen sikur ndodhesh në Paris. Nëse preferon një mjedis më autokton, Komiteti të çon detyrimisht, përmes dekorit dhe menusë tipike shqiptare, në epokën e regjimit komunist. Të pëlqen tarraca? Shko në Lincoln Garden Café, por kujdes se mos e kalon gjithë ditën në kopshtin e tij plot me pemë.

Nëse je i dashuruar pas ushqimit apo thjesht të pëlqen të hash, kuzhina tradicionale shqiptare është tipike mesdhetare; shumë peshk, shumë perime. Megjithatë, nëse kërkon diçka me pak më shumë zjarre artificialë gastrononomike, Tirana është vendi më i mirë për ta gjetur.

Për të bërë një prezantim të kuzhinën shqiptare, vetëm disa restorante mund të rekomandohen njësoj si “Era” dhe kjo jo pa një arsye. Ky restorant klasik në Bllok parapëlqehet si nga vendasit, edhe nga të huajt. Mos i humb qoftet e Korçës që gatuhen aty (plot me salcë), të cilat janë më të mira nëse i shoqëron me raki kumbulle, produkt vendas!

Nëse ke ardhur në Shqipëri për të marrë me vete edhe pak histori, kalo nga Hola Restorant. Ndoshta nuk do të provoni “paella”-n më të mirë në botë (ose po), por gjithsesi përvoja do të jetë unike. Shefi, Francisco, të pret tek dera i buzëqeshur dhe me shumë mundësi do t’ju tregojë historinë se si u bë finalist në MasterChef Albania. Për të mos u humbur! Pas darkës, mos kujto se do të kthehesh në shtëpi! Është larg ajo kohë kur njerëzit ktheheshin në shtëpi në orën 20.00, ritual i vendosur përgjatë diktaturës. Tirana e sotme jeton natën me po aq shumë dëshirë, sa edhe ditën. Lëvizjet përqendrohen tek Blloku, në rrugën “Ismail Qemali”, dhe nuk është problem të gjesh një lokal që përshtatet me preferencat e tua të ditës.

Ke dëshirë për një gotë në qetësi? Colonial të pret me një menu të pasur koktejlesh, e cila shkon nga varietet e panumërta të rakisë, deri Cosmopolitans manaferre. Nëse dëshironi të vazhdoni më tej, Rozafa Club është një arsye për të mos fjetur deri në mëngjes.

Dëshironi një aktivitet kulturor tipik tiranas? Sa i përket artit dhe aktraksioneve kulturore, Tirana ka veçantinë e saj. Duke lënë pas Galerinë Kombëtare dhe TOB-in, të cilat praktikisht krijojnë ofertën artistike tradicionale të kryeqytetit, ajo çka do të gjesh në Tiranë sa i përket ekspozitave artistike, nuk ngjan me asgjë që mund të kesh parë më përpara.

Si fillim, një nga muzetë më të rëndësishëm në Tiranë ndodhet në një bunker bërthamor. Po, e ke lexuar mirë, një bunker!

Në fakt, nëse itenerari yt në Shqipëri të çon përtej kryeqytetit, do të shohësh që peizazhi i vendit është rrethuar me kupola të vogla betoni, në formën e majës së ajsbergut, ekspozime të obsesionit të regjimit të vjetër komunist, ndaj një sulmi hipotetik nuklear në prag.

Edhe në Tiranë, gjenden shumë prej tyre, duke përfshirë edhe atë ku ndodhet sot “Bunkart 2”, një muze nëntokësor që i kushtohet historisë politike të Shqipërisë, i cili përfshin dëshmi të tmerreve të diktaturës. Nuk është një vizitë e lehtë, por që rekomandohet për të kuptuar më mirë karakterin shqiptar dhe arsyet se përse vendi vazhdon të jetë, në shumë forma, një e panjohur e madhe.

Një tjetër atraksion për të mos u humbur në kryeqytet është Piramida. Nuk ka asgjë të përbashkët me Keopsin apo Teotihuacán; kjo piramidë, me një lloj shije futuriste, është ndërtuar në 1988 si muze në nder të diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe që më pas u shndërrua në një qendër konferencash dhe ekspozitash.

Tashmë, e mbushur me graffiti dhe pa ndonjë funksion të veçantë, ka një mision disi ndryshe; është kthyer në një vend të sajuar për rrëshqitje. Çdo ditë të javës aty sheh fëmijë që ngjiten këmbadorazi, për të zbritur më pas duke rrëshqitur me kartonë. Mos hezito dhe bashkohu me ta; pamja nga maja e Pidamidës ia vlen!

Por, nuk ka pse t’i drejtohesh një vendi në veçanti për të njohur shpirtin krijues të Tiranës. Një shëtitje e thjeshtë përgjatë Bllokut, sheshit Skënderbej dhe rrugëve që e rrethojnë, mund të shndërrohet në një rrugëtim artistik. Ngado sheh ndërtesa murale, fasada të mbuluara me ylberë apo mollë të pikturuara në harmoni.

Nuk është rastësi. Këto ekspozime të artit tipik urban i përkasin ish kryebashkiakut të Tiranës, tani kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Pasi u zgjodh si kryebashkiak në vitin 2000, Rama, me profesion artist, filloi një fushatë për t’i sjellë ngjyrat arkitekturës gri të Tiranës. Rezultati që vijon të jetë i dukshëm edhe 15 vite më vonë, është një dhuratë për sytë, çka e shndërron edhe rrugën më të thjeshtë të kryeqytetit në një prezantim të përkryer të eksperiencës për të vizituar Tiranën.