Tiranë: 1 mln $ për subvencionimin e kredive të buta, ndihmë për 1 mijë çifte të reja

347

Rreth një mijë familje të reja në Tiranë do të përfitojnë shumë shpejt një kredi të butë. Bashkia e Tiranës nisi sot zbatimin e programit social të strehimit për kreditë e buta për blerjen e një shtëpie, duke marrë përsipër të subvencionojë interesat e tregut bankar. Programi u prezantua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kreditë e buta janë një tjetër alternativë që Bashkia e Tiranës ofron për t’i dhënë fund problemit të strehimit në kryeqytet, krahas programeve të tjera që zbaton prej muajsh.

Programi Social i Strehimit i kredive të buta parashikon që të ofrojë kredi për afro 1 mijë familje, kryesisht çifte të reja. Ai ofron një mundësi strehimi dhe nëpërmjet tij familjet e deklaruara të pastreha mund të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar kredi nga banka me interes fiks 3 për qind, për gjatë gjithë viteve të shlyerjes së kredisë. Bashkia do të vërë fillimisht në dispozicion një fond prej 1 milionë dollarësh dhe do të marrë përsipër subvencionimin e interesave shtesë të kredisë që ofron sot tregu bankar. Që familjet e pastreha të përfitojnë nga ky program duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuar më parë me vendim të Këshillit Bashkiak.