Tiranë: Kontrollori i një linje autobusi i kthen të zotit portofolin me lekë

323

Drejtuesi i një kompanie shitjesh ka treguar gjestin e rrallë që i ka ndodhur ndërsa udhëtonte me autobus dhe i humbi portofoli.

I njohur si debatues në media, Ermal Telha rrëfyer rastin e tij, ku kontrollori i linjës gjeti të dhënat e tij në Facebook dhe vendosi ta kontaktonte për t’i dorëzuar atë që kishte gjetur.

Ermali shtoi se e vlerëson shumë veprimin e tij, sepse pavarësisht kartave shumë të rëndësishme, aty kishte edhe një sasi të konsiderueshme parash:

“Shqipëria e njerëzve të mirë!

Këto dy ditë, për shkak të defektit, makina ime ka qenë në servis, njëkohësisht moti me shi s’më ka lejuar të lëviz me bicikletë dhe kam përdorur shërbimin urban të qytetit, ekzaktësisht linjën Teg – K. Zoologjik – Qendër.

Autobusi ka qenë mëse korrekt me orarin, fatorino i buzëqeshur dhe ambjenti i pastër. Kështu në fakt duhet të jetë, prandaj kjo nuk përbën lajm por gjithesesi vlerësimi duhet shprehur.

U ktheva përsëri me të njëjtën linje dhe padashje pasi bëra pagesën, kuleta më ra në tokë pa e kuptuar. Ika në shtëpi pa e vënë re, ndërkohë pas rreth 3 orësh më vjen një mesazh në inbox-in e facebook.

Ishte Fjoraldi që as me njihte, as e njihja deri më sot, kontrollori i linjës në fjalë. Përvec shumë dokumenteve personale, në kuletë ndodhej dhe një sasi e konsiderueshme lekësh, ndoshta më e madhe sesa rroga e tij mujore, por ky qytetar i mirë, zgjodhi të më gjente dhe të ma kthente mbrapsht atë që më përkiste mua.

Nuk u tundua por thjesht me korrektësi kërkoi disa të dhëna që të vërtetohej qe isha poseduesi.

Së të rrallë janë njerëzit e tillë! Sa nevojë kemi për këtë model qytetari!

Nga sot, unë kam një Mik më shumë, një Mik të mirë më shumë të cilit i jam mirënjohës më se shumti për leksionin që më dha.

Faleminderit Fjorald, do të di të ta shperblej mirësinë!”.

Burimi: Ora News