Tiranë, nis ndërtimi i këndit të radhës të lojërave në Sauk

528

Kreu i bashkisë Erjon Veliaj ka inspektuar sot nisjen e punimeve të këndit të radhës në Sauk, një kreacion për fëmijët dhe të moshuarit.

Që investimi të mbarojë në kohë dhe që ai të ketë jetëgjatësi, kreu i bashkisë kërkoi edhe bashkëpunimin e banorëve që të heqin vetë pengesat apo muret e tyre rrethuese dhe t’i hapin rrugë zbatimit të plotë të projektit.

Këndi rekreativ që po ndërtohet do të ofrojë mundësi argëtimi për fëmijët dhe hapësirat e nevojshme çlodhëse për moshën e tretë. Ai kufizohet nga rruga “Herman Gmeiner” dhe “Selim Brahja” dhe ndërtohet në një hapësirë që ka qenë totalisht e degraduar. Përveç investimit në krijimin e këndit çlodhës, është parashikuar sistemimi i kanaleve të ujërave të shiut, trotuaret, gjelbërim, asfaltim i rrugës, krijimi i 15 vendeve për parkim, një prej të cilëve do jetë për persona me aftësi të kufizuara. Këndi i lojërave për fëmijë që do të ndërtohet në Sauk është i treti në Njësinë 2.