Tiranë, nis rikonstruksioni i shkollës “Dora d’Istria”

659

Bashkia e Tiranës sapo nisi rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Dora d’Istria”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen në këtë objekt dhe shtoi se falë këtij projekti, shkollës do t’i shtohen 11 klasa të reja, ndërsa e gjithë godina do të pajiset për herë të parë me një sistem qendror ngrohjeje. 

Projekti i rikonstruksionit që ka nisur të zbatohet në këtë shkollë parashikon që në anën jugore të oborrit ngjitur me godinën ekzistuese të ndërtohet një shtesë 3 katëshe për 11 klasa mësimi dhe vendosja e dhomës teknike në katin përdhe. Klasat do të jenë të vendosura në dy krahët e korridorit si një vazhdim i atij ekzistues. Gjithashtu, shkolla do të ketë një sistem qendror ngrohje dhe për këtë qëllim po bëhen instalimet për të rritur dhe përmirësuar mirëfunksionimin e të gjitha ambienteve për nxënësit dhe mësuesit. Në shkollë do të bëhen edhe një sërë punimesh të tjera, si ndërrim i dyerve dhe dritareve, instalimet elektrike dhe hidraulike, rikonstruksion i gjithë nyjave sanitare si dhe izolimi i tarracës.