Tiranë, nis rikualifikimi i bllokut të banimit prej 13.2 hektarë në Njësinë 8

555

Nga një hapësirë e degraduar, ku në verë mbizotëron pluhuri dhe në dimër balta e lluca, i gjithë blloku i banimit në zonën e ish “Frigoriferit” në Njësinë 8, po shndërrohet në një nga lagjet model të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka nisur të zbatojë një tjetër projekt të madh transformues, i cili prek një hapësirë prej 13.2 ha dhe nga ku përfitojnë rreth 8 mijë banorë, si dhe bizneset që operojnë aty.

Zona në të cilin po zbatohet projekti i rehabilitimit kufizohet nga rrugët: “Besa” – “Siri Kodra” – “Zenel Bastari” – “Haki Rexhep Kodra” (përfshin edhe rrugën tek Nish-Kimike), dhe ka një sipërfaqe prej 13.2 ha. Ky bllok banimi përfshin gjithsej 18 segmente rrugore e sheshe dhe parashikon sistemimin e rrugëve dhe shesheve të bllokut, me elementët e infrastrukturës rrugore dhe urbane, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone dhe krijimin e akseseve të lëvizjes me rrugët e tjera të qytetit.