Tiranë, nisin punimet për rikonstruksionin e Kopshtit Nr.17

391

Pas dy vitesh pezullim, Bashkia e Tiranës ka rinisur punimet për rikonstruksionin e plotë të godinës së kopshtit nr. 17 në Njësinë 7, i cili shumë shpejt do të ofrojë kushte bashkëkohore për më të vegjlit e qytetit. Punimet që po kryhen në këtë kopsht u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se viti 2017 do jetë një vit më i mirë edhe se viti që lam pas, sidomos në punët që i shërbejnë fëmijëve.

Kopshti nr. 17 do të akomodojë 120 fëmijë të ndarë në 4 grupe. Ai ka pësuar një zgjerim nga ana funksionale të hapësirave dhe do të ketë një hyrje të re. Po ashtu, janë riorganizuar hapësirat e fjetjes, ngrënies dhe tualeteve. Falë këtij investimi do të instalohet sistemi i ngrohjes në të gjitha ambientet e kopshtit. Gjithashtu, do të kryhen edhe punime hidraulike dhe elektrike. Ndryshime do të pësojë edhe oborri ku do të krijohen edhe 2-3 kënde lojërash për fëmijët.