Ushqimet me vitaminën e duhur për trurin, gjakun dhe kockat

77

Vitamina K është një vitaminë që luan një rol të rëndësishëm për shëndetin e kockave dhe të zemrës.

Ekspertët shprehen se pamjaftueshmëria e vitaminës K në organizëm mund të shkaktojë trombozë, gjakderdhje dhe probleme serioze me kockat.

Kjo vitaminë e rëndësishme gjendet në shumë burime natyrale. Kryesisht te barishtet si kale, spinaqi, pazia, gjethet e rrepave dhe te perimet si lakrat e vogla, lulelakra, brokoli, shpargu, majdanozi dhe sallata jeshile.

Burime të tjera të vitaminës K janë qepët e njoma, kumbullat, kastraveci, mëlçia e viçit, çaji jeshil, peshku, vezët, borziloku i thatë, krundet e grurit dhe produktet e fermentuara të bulmetit si kosi dhe djathi.

Përmirëson shëndetin e kockave

Kjo vitaminë e rëndësishme luan një rol kryesor në përmirësimin e shëndetit të kockave dhe ulur rrezikun e frakturave të tyre.

Vitamina K është veçanërisht e rëndësishme për femrat pas menopauzës të cilat rrezikohen nga osteoporoza. Organizmi ka nevojë për vitaminë K për të transportuar kalciumin, aq shumë i dobishëm për formimin e kockave.

Sasitë e mjaftueshme të vitaminës K, veçanërisht të asaj K2 janë të dobishme për aktivizimin e osteocalkinës. Ajo është një proteinë që qarkullon në gjak dhe që ndërlidh jonet e kalciumit me strukturën e kockës. Kjo proteinë i bën kockat më të forta.

Mbështet shëndetin e zemrës

Vitamina K është e mirë edhe për shëndetin e zemrës. Pikë së pari, ajo ndihmon në uljen e tensionit të gjakut duke parandaluar akumulimin e mineraleve në enët e gjakut. Kjo e ndihmon zemrën të pompojë gjak më lehtë.

Vitamina lufton inflamacionin dhe mbron qelizat përbërëse të damarëve, venave dhe arterieve. Një gjë e tillë pakëson gjasat e një arresti kardiak ose ataku në zemër.

Mbështet funksionet e trurit

Kjo vitaminë lufton inflamacionin dhe mbron trurin ndaj stresit oksidues që shkaktohet nga radikalet e lira. Stresi oksidues mund të dëmtojë qelizat e trurit dhe të shkaktojë sëmundje të ndryshme si Alzhaimeri, Parkinsoni e të tjerë.