World Vision- Kurrikula të posaçme për të rinj nga fshatrat e Shqiperisë

232

Rreth 1500 të rinj nga fshatrat dhe periferitë e Shqipërisë, të cilët i përkasin moshës 15-18 vjeç, janë angazhuar përmes kurrikulës “IMPACT” nga organizata World Vision për të qënë të suksesshëm në jetë.

Ditën e hënë, 300 të rinj nga e gjithë Shqipëria  udhëtuan drejt Tiranës për të qenë pjesë e konferencës vjetore  “Mendo udhëtim ndryshe”, organizuar nga World Vision dhe AISEC.

Përmes këtij programi synohet  që të rinjtë të përvetësojnë vlera dhe aftësi që lidhen me vetëbesimin, vizionin e së ardhmes dhe  bashkëpunimin me të tjerë.

Një nga pjesëmarrëset, Anjeza Kaba, nga Dibra, tregon se bashkë me shokët e tjerë të grupit të të rinjve mobilizuan bizneset e zonës për të rregulluar kopshtin e lagjes Kamen në Peshkopi.

“Gjendja e kopshtit ishte e mjeruar.  Ne  lyem vetë karriget, tavolinat, dollapet dhe vizatuam në mure personazhet e preferuara të 22  vogëlushëve”, tregon ajo.

Ndërsa Bleona Orhan, tregon sesi mblodhi veshje, libra dhe para për 50 familje të varfra në fshatin Rrëmbec të Korçës.

“IMPACT është një kurrikulë që zbatohet me sukses në disa vende të botës dhe World Vision e ka përshtatur për të rinjtë në Shqipëri. Ky program po zbatohet  përkatësisht në Tiranë, Dibër, Kurbin, Korçë, Vlorë, Librazhd dhe Elbasan. World Vision është një nga organizatat  botërore që punon në 100 vende të botës dhe prej 1999 punon me të rinjtë dhe femijët në Shqipëri.

Burimi: ATSH