Zbulohet projekti/ Investime në zonat me vlera ekologjike dhe ekonomike

24

Një pr.ligj i ri, që pritet të nisë diskutimet së shpejti në Kuvend, synon të vendosë fokusin te mbrojtja e zonave me vlera ekologjike detare, nëpërmjet projekteve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimit të kërkimeve shkencore.

Miratimi i ndryshimeve ligjore do të sjellë aderimin e Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar të Zonave të Mbrojtura Detare, për të cilin do të duhet një shpenzim vjetor i buxhetit të shtetit prej 25 mijë eurosh.

Së pari, si rezultat i aderimit në këtë Komision, i cili është krijuar nga “Nisma për zhvillimin e qëndrueshëm financiar të zonave të mbrojtura detare të mesdheut”, nën kujdesin e Princit Albert II i Monakos, Republika e Shqipërisë do të përfitojë ndihmë teknike dhe financiare, nëpërmjet projekteve të vogla dhe të mesme, për të mbrojtur dhe për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme zonën detare të rajonit tonë.

Së dyti, kjo nismë ka rëndësi rajonale, pasi ndjek një politikë ambicioze për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura. Ajo gjithashtu do të investojë në forcimin e vlerave ekologjike sociale dhe ekonomike duke nxitur krijimin e zonave të mbrojtura detare të reja, si dhe mbledhjen e fondeve për plotësimin e sistemit aktual të financimit nëpërmjet mekanizmave inovativë.

Në kuadër të këtij objekti dhe qëllimi, Komisioni përgjegjës KNESHDM-ja: – favorizon punimet hulumtuese në bashkëpunim me institutet kombëtare dhe organizatat ndërkombëtare që kanë qëllime të ngjashme; – nxit programet multilaterale të mbikëqyrjes së mjedisit detar; – lehtëson shkëmbimet e informacionit dhe botimet veçanërisht në fushën e oqeanografisë, biologjisë ujore, gjeologjisë ujore dhe të biogjeokimisë.
Angazhimi si anëtar i KNESHDM-së sjell si pasojë detyrimin për të derdhur një kontribut vjetor, të përcaktuar nga Byroja prej 25 000 eurosh, përkatësisht nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Projektligji ka si qëllim që të kontribuojë në zbulimin dhe mbrojtjen e Detit Mesdhe dhe deteve që kontribuojnë në të. Ky Komision, me seli në Monako, përbëhet nga 23 shtete anëtare. Këto shtete mbështesin një rrjet me disa mijëra studiues të detit, të cilët përdorin mjetet më të fundit shkencore për të kuptuar, për të monitoruar dhe për të mbrojtur më mirë Detin Mesdhe i cili po ndryshon shpejt dhe po sjell ndikime të mëdha. I strukturuar me 6 komitete dhe task-forca të ndryshme, KNESHDM organizon takime me ekspertë, programe bashkëpunimi dhe kongrese në mënyrë periodike, duke ofruar orientime dhe këshilla të pavarura nga agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Komisioni integron një spektër të gjerë të disiplinave detare, duke përfshirë proceset gjeofizike, kimike dhe biologjike, së bashku me hartat me rezolucion të lartë të fundit të detit. Ndryshimet në Detin Mesdhe po ndodhin në mënyrë të shpejtë dhe të pashembullt. Është pikërisht Komisioni që gjurmon dhe analizon këto ndryshime, të cilat vijnë nga ndikimi i ngrohjes globale në nivelin e detit dhe masat ujore deri te ndryshimet në biodiversitetin detar.

KNESHDM-ja përfshin në aktivitetet e tij studiues nga të gjitha brigjet e Basenit. Duke qenë se Deti Mesdhe është një trashëgimi shekullore, shtetet kanë si objektiv të mundësojnë shkëmbimin e standardeve dhe ideve shkencore, por edhe të mbajnë një dialog konstruktiv, paqësor midis tyre pasi për një kohë të gjatë, ato kanë qenë të ndarë nga konfliktet historike.