Më 11 tetor të vitit 1913, në Shkodër u botua nga At Gjergj Fishta, revista “Hylli i Dritës”. E botuar dhe e qarkulluar nga “Nikaj Press”, revista u mbështet nga një figurë e shquar si Luigj Gurakuqi. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, botimi dhe qarkullimi i saj u ndalua nga austriakët, sepse revista promovonte interesat shqiptare.
“Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provincës Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por një plejadë e tërë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh të nderuar.
Revista u bë shprehësja kryesore e aspiratave të elitës shqiptare për pavarësi, demokraci e kulturë perëndimore. Kjo revistë ka në themel veprën e përkushtimin e paharrueshëm të françeskanëve shqiptarë ndër të cilët ndrin emri i Atë Gjergj Fishtës.
Që në editorialet e para, ai u drejtohej bashkëkombësve “se kur flasim për ekzistencën e Shqipnisë na e nënkuptojmë gjithmonë si Shtet të qytetnuem dhe europian”.
Sot mund ta themi që te kjo revistë e konfirmuar si institucion kulturor, shqiptarët kanë shprehur maksimumin e energjive të veta mendore, si asnjëherë tjetër, si askund tjetër.
“Hylli” vuri bazat për një sërë studimesh, si ato albanologjike, letrare, etnografike, folklorike, pedagogjike e nxorri në pah gjithë atë pasuri shpirtërore që kishte mbetur e pacenuar nga nata otomane.